Vinicius Junior është shpallur fituesi i çmimit ‘The Best’, lojtari më i mirë i vitit nga FIFA. Braziliani u vlerësua për sezonin e jashtëzakonshëm me Real Madrid ku ishte protagonist si në La Liga ashtu edhe në Champions League, ndërsa ky çmim individual vjen vetëm pak javë pasi u rendit i dyti për ‘Topin e Artë’. Një trofe tjetër individual që shkaktoi shumë polemika dhe zemërim te Real Madrid dhe tifozët e tij. Pas çmimit ‘The Best’ Vinicius është shprehur se ‘shumë persona janë përpjekur ta zhvlerësojnë, zvogëlojnë, por nuk ia kanë dalë’.
Çmimi ‘The Best’ i organizuar nga FIFA akordohet nga votat e 4 komponentëve: trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare, gazetarët dhe tifozët. Vota e secilit ka vlerën e 25%, ndërsa është zbuluar edhe si ka votuar Shqipëria. Trajneri Sylvinho i ka dhënë 5 pikë Vinicius, 3 Rodrit dhe 1 pikë Jude Bellingham. Kapiteni Berat Gjimshiti ka zgjedhur për 5 pikë Toni Kroos, 3 Viniciusit dhe 1 pikë Rodrit, ndërsa gazetari Endi Tufa i ka dhënë 5 pikë Jude Bellingham, 3 Rodrit dhe 1 pikë Dani Cavajal.