Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kalla, do të takohet sot me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajmin e bëri me dije zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper duke shtuar se takimi nuk ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Takimi ka shumë gjasa që të ketë në vëmendje shpërthimin e ndodhur në Zubin Potok, ku aktualisht është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shkak të dëmtimit të kanalit Ibër – Lepenac. Sipas saj, EULEX- i nuk ka mandat ekzekutiv për të kryer hetime, por vetëm për të monitoruar situatën.
“Ne kemi nevojë për bashkëpunim nga të dyja palët. E patë reagimin e përfaqësueses së lartë për atë sulm dhe si do ta trajtojmë ne çështjen,”-tha zëdhënësja.
Më 29 nëntor, rreth orës 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit. Një nga objektet që furnizohet me ujë është edhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, por banorët e zonës kanë mbetur pa ujë dhe pa energji elektrike. Për këtë sulm, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, derisa kjo e fundit ka mohuar të gjitha akuzat. Reagime ka pasur edhe nga Shqipëria, edhe nga ndërkombëtarët.