Një arkeologe që kërkon prej disa dekadash varrin legjendar të Kleopatrës, beson se një statujë e gjetur së fundmi jep pamjen e vërtetë të mbretëreshës egjiptiane, të famshme për bukurinë e saj. Ekspertja Kathleen Martinez ka zbuluar punimin e mermertë gjatë gërmimeve në Aleksandri me grupin egjiptiano-domenikan të studiuesve. Zbulimi në Taposiris Magna është statuja e një gruaje të zbukuruar me kurorë mbretërore dhe disa objekte të tjera në një impjant të lashtë në brigjet veriore të Egjiptit. Martinez beson se statuja përshkruan “fytyrën e vërtetë” të Kleopatra VII, e cila sundoi nga viti 51 deri në 30 p.e.s. por të tjerë ekspertë thonë se tiparet e bustit të mermertë ndryshojnë nga përshkrime te mëparshme të mbretëreshës. Ata thonë se statuja është në fakt e një tjetër princeshe e dinastisë Ptolemaike. Në fakt nga statuja e bardhë ka mbetur vetëm koka, ku duken buzët e fryra përpara dhe gërshetat e sjella rreth kokës, ndërsa bashkë me të ishin gjetur llampa vaji, enë guri, statuja bronzi dhe poçe që shërbenin për rituale.

Një tjetër statuja mbretërore burri, mbante në kokë veshjen perandorake Nemes, ndërsa shumë monedha të gjetura kishin kokën e Kleopatrës. Objektet u gjetën në tempullin Taposiris Magna, që besohet se mund të jetë vendvarrimi Kleopatrës, e cila është varrosur me bashkëshortin e saj fatkeq Mark Antony pas vetëvrasjes.
Edhe në shtator arkeologët besonin se kishin zbuluar varrin e çiftit të famshëm mbretëror, kur arkeologu vendas Zahi Hawass tha: “Varri i humbur i Antoni e Cleopatra rrjedhimisht do të gjendet, pasi jemi të sigurtë se eshte në rajonin Taposiris Magna, 30km larg Alexandrisë.”

“Ata janë të varrosur në të njëjtin vend dhe ne po i afrohemi zbulimit të vendndodhjes”. Kleopatra ishte sunduesja e fundit e dinastisë Ptolemaike dhe u kurorëzua në moshën 18 vjeçare. Ajo njihej për bukurinë e saj dhe thuhet se fliste 12 gjuhë, ishte e mësuar në matematikë, filozofi oratori dhe astronomi, shkruan rrjeti britanik The Mirror.