Është hedhur sot shorti për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025, ku u zgjodh si kryetar Sokol Sadushi, i cili është kryetari aktual i Gjykatës së Lartë. Shorti është hedhur në ambientet e Presidencës dhe u ndoq nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Gjatë procedurës së hedhjes së shortit ishin të pranishëm në sallë Avokati i Popullit, përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si edhe përfaqësues ligjorë nga EURALIUS dhe ODAPT.
Nga hedhja e shortit u përzgjodhën si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi:
Marjana Semini – Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese
Ilir Toska – Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese
Sokol Sadushi – Gjyqtar në Gjykatën e Lartë
Fuat Vjerdha – Gjyqtar në Gjykatat e Apelit
Enkela Vlora – Gjyqtare në Gjykatat e Apelit
Irma Balli – Prokurore nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit
Etjen Kapo – Prokuror nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit
Nafije Hasko – Gjyqtare nga Gjykatat Administrative
Anëtarët zëvendësues të KED:
Marsida Xhaferllari – Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese
Medi Bici – Gjyqtar në Gjykatën e Lartë
Thoma Jano – Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Elvana Çiçoli – Gjyqtare në Gjykatat e Apelit
Genti Xholi – Prokuror nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit
Bezart Kaçkni – Gjyqtar nga Gjykatat Administrative
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) është organ i pavarur, i parashikuar në Kushtetutë, që kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.