Është kremtuar sot në Lushnje 105 vjetori i Kongresit të Lushnjës i cili hodhi themelet e shtetit shqiptar.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe zv.kryeminstrja, njëherësh drejtuesja politike e qarkut të Fierit, Belinda Balluku. Pas vizitës së bërë në ambientet e shtëpisë muze zonja Balluku theksoi se kongresi është ngjarje e rëndësishme historike që tregon se kur një popull bëhet bashkë, arrin të mbrojë interesat e tij.

Qytetarë nga e gjithë Shqipëria ishin të pranishëm në këtë ditë të përkujtimit të një prej ngjarjeve më me rëndësi historike për Shqipërinë. Kongresi kombëtar i Lushnjës hodhi themelet e shtetit të parë demokratik në vend.

Ai u mbajt më 21 janar të vitit 1920 dhe është ngjarja më e madhe në shtetformimin shqiptar. Ky kongres shënoi historinë e shteti shqiptar të ngritur mbi ëndrrën, punën dhe sakrificën e të gjithë atyre djemve dhe vajzave që donin një shtet të lirë e të pavarur.