nga Klevis Bakillari
Forcat e reja të cilat pretendohet të kenë hyrë siç antibiotiku në trupin e vjetëruar të Opozitës tonë, duhet të provojnë të japin efektin deri më 11 Maj.
Sepse, vërtetë i presim siç ata duan; siç pensionisti rritjen e pensionit, siç minatori diellin, siç Drejtësinë për Gërdecin , siç blegtori subvencionin për kecin, siç celulari TikTokun e disiplinuar, siç Tiku debatin me Ramën, siç Arlindi vetë ekranin,siç klasa e mesme Shabanin, siç Drejtësinë për 21 Janarin, siç bujku ujin në arë, apo si Ilirin në Skrapar.
Ku do të veprojnë Partitë e Reja,tani që u zgjerua dhe u rrit pakontrollueshmëria e betejës elektorale? E kërcënojnë PD-në? E shqetësojnë PS-në?
Do t’i pranojë shoqëria?
Fillimisht, dy a tre partitë e reja më aktive,s’rrjedhin nga fraksione të PD dhe kanë fushë të hapur të veprojnë nëpër mjegullën elektorale të saj. Do ta arrijnë?!Të kujtojmë kafshimin dikur të LSI-së ndaj PD-së.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009 në opozitë dhe 2013, PS-ja rritej,edhe pse LSI-ja ishte fraksion i majtë. Pas 2017 kur LSI u rrëzua, shumica e votave shkuan në PS dhe pse kishin qënë vota të djathta, deri në 2021 kur LSI shkoi për skrap. Pra përgjatë 2009 deri në lokalet e 2023, PD ka pësuar uljengritje drastike dhe s’ka rekuperuar shumicën e elektoratit të larguar.Një paqëndrueshmëri e cila na lejon të parashikojmë se Partitë e Reja të djathta a të majta , do hyjnë në territorin elekoral të PD-së dhe do t’i bëjnë gjëmën. Sepse paqëndrueshmëria elektorale ndodhet djathtas! PD është e brishtë ndaj alternativave.Elektorati i PS-së është historikisht i qëndrueshëm. Të majtët nuk tërhiqen dhe i çojnë punët deri në fund. Të djathtët përfundojnë në populizëm.
Partitë e Reja, mund të rezultojnë katalizatori që do të ruaj stabilitetin në Shqipëri,duke sjellë një fitore komforte të PS-së. Ato kërkojnë votë antiqeveri në Diasporë, ndërkohë Shqipëria avancon drejt BE. Ndërsa PD është e provuar, ‘kjo opozitë e re’ është e vonuar në këtë kryekauzë.
Kur loja bëhet e fortë, të fortët hyjnë në lojë! Kakofonia e mediave sociale; mungesa e një aliazhi përfaqësimi shoqëror; rrallësia publike e figurave të tjera veç kryetarëve; divergjencat që vijnë nga egot e vjetra të protagonizmit; bindja se Lideri i PD s’vjen më në pushtet; shpresa e fshehur e ndonjë rracioni në pushtetin e madh të PS-së;selektiviteti i aksioneve opozitare që s’prodhon një rrymë popullore; dozat e populizmit;nuk na paraqesin një opozitë të re të koordinuar, të fortë.
Dhe shoqëria jonë e do shumë liderin e fortë.Më shumë sesa liderin e drejtë. Vlen të mbetet e paharruar LSI, etaloni politik i rritjes,me lider të fortë me bllok në dorë!