Gjatë takimit që zhvilloi me familje të Tiranës, që kanë përfituar nga skema e strehimit social të kredisë së butë, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se Tirana, është e vetmja bashki në rajon që ka falas udhëtimin për studentët dhe për të moshuarit.

“Ne funksionojmë si një familje. Në një familje themi, po të jenë mirë fëmijët, ne mirë jemi. Kjo ka qenë motoja e familjeve tona, edhe në ato kushtet e vështira të asaj kohe. E njëjta gjë për gjyshërit tanë: e çojmë vëmendjen tek ata se e dimë që sëmuren më kollaj. Në qoftë se në familjen tonë të vogël mendojmë kështu për më të vegjlit dhe për më të moshuarit, që janë më vulnerabël, në një familje të madhe si Tirana duhet menduar po kështu. Kjo është arsyeja përse sot jemi i vetmi qytet, edhe e them me shumë krenari këtë, që kemi bërë transportin falas për studentët; jo vetëm kaq, por studentëve me Kartën e Studentit, u paguajmë edhe gjysmën e tarifës së konvikteve. Ndërkohë, nuk është se konviktet janë amortizuar dhe vlejnë gjysmë më pak, përkundrazi, konviktet janë bërë më të mira dhe çmimi ka rënë. Besoj se kjo është politika sociale për të cilën kemi nevojë”, tha Veliaj.