Ishte ora 20:25 e një mbrëmjeje të hënës në nëntor të vitit 2020, kur Caroline Darian mori telefonatën që i ndryshoi gjithçka.

Në anën tjetër të telefonit ishte nëna e saj, Gisèle Pelicot.

“Ajo më tha se atë mëngjes kishte zbuluar që babai im Dominique e kishte droguar për rreth 10 vite, në mënyrë që burra të ndryshëm ta përdhunonin,” kujton Darian në një intervistë për programin Today të BBC Radio 4, me gazetaren Emma Barnett.

Atë moment thotë ajo humbi atë që ishte një jetë normale.

“Më kujtohet që bërtita, qava, madje e shava. Ishte si një tërmet. Një tsunami”, tha ajo.

Dominique Pelicot u dënua me 20 vite burg në fund të një gjyqi historik që zgjati tre muaj e gjysmë, në dhjetor. Më shumë se katër vite më vonë, Darian thotë se babai i saj “duhet të vdesë në burg”.

Pesëdhjetë burra që Dominique Pelicot kishte rekrutuar online për të përdhunuar dhe sulmuar seksualisht gruan e tij të pavetëdijshme, Gisèle, gjithashtu u dënuan me burg.

Ai u kap nga policia pasi u përfshi në një incident të fshehtë me kamera në një supermarket, gjë që i çoi hetuesit të shikonin më nga afër atë. Në laptopin dhe telefonat e këtij gjyshi të pensionuar, në dukje të pafajshëm, ata gjetën mijëra video dhe foto të gruas së tij, Gisèle, qartësisht e pavetëdijshme, duke u përdhunuar nga të huaj.

Përveçse nxori në pah çështjet e përdhunimit dhe dhunës me bazë gjinore, gjyqi gjithashtu theksoi një problem pak të njohur: sulmin kimik – sulmet e lehtësuara nga droga.

Caroline Darian e ka bërë luftën kundër sulmeve kimike misionin e jetës së saj, një problem që mendohet të jetë nën-raportuar, pasi shumica e viktimave nuk kanë asnjë kujtim të sulmeve dhe mund të mos e kuptojnë që janë droguar.

Darian dëshiron që zërat e grave të abuzuara të dëgjohen

Në ditët që pasuan telefonatën fatale të Gisèle, Darian dhe vëllezërit e saj, Florian dhe David, udhëtuan në jug të Francës, ku jetonin prindërit e tyre, për të mbështetur nënën e tyre ndërsa ajo përpiqej të përballonte lajmin se siç thotë tani Darian burri i saj ishte “një nga grabitqarët seksualë më të këqij të 20 ose 30 viteve të fundit”.

Pak kohë më pas, Darian u thirr nga policia dhe bota e saj u shemb përsëri. Asaj i treguan dy foto që gjetën në laptopin e babait të saj. Ato tregonin një grua të pavetëdijshme që shtrihej në shtrat, e veshur vetëm me një bluzë dhe të brendshme.

Fillimisht, ajo nuk e kuptoi që gruaja në foto ishte ajo vetë.

“Kisha vështirësi ta njihja veten në fillim,” thotë ajo.

Darian thotë se është e bindur që babai i saj e ka abuzuar dhe përdhunuar edhe atë diçka që ai gjithmonë e ka mohuar, edhe pse ka dhënë shpjegime kontradiktore për fotot.

“E di që më ka droguar, ndoshta edhe abuzim seksual. Por nuk kam asnjë provë,” thotë ajo.

Ndryshe nga rasti i nënës së saj, nuk ka prova për atë që Pelicot mund t’i ketë bërë Darian-it. Shpejt pasi krimet e babait të saj dolën në dritë, Darian shkroi një libër. “Nuk do ta quaj më kurrë baba” eksploron traumën e familjes së saj.

Ajo thotë se mes traumës së të kuptuarit që ishte përdhunuar më shumë se 200 herë nga njerëz të ndryshëm, nëna e saj, Gisèle, e kishte të vështirë të pranonte që burri i saj mund të kishte sulmuar edhe vajzën e tyre.

“Për një nënë është e vështirë ta përthithësh të gjitha menjëherë,” thotë ajo.

Tani, Darian duhet të kuptojë si të jetojë duke ditur që është vajza e torturuesit dhe viktimës diçka që ajo e quan “një barrë të tmerrshme”. Ajo tashmë nuk mund të mendojë për fëmijërinë e saj me burrin që e quan Dominique, duke kaluar vetëm rastësisht në zakonin e të referuarit ndaj tij si babai i saj.

“Kur shikoj pas, nuk e kujtoj vërtet atë baba që mendoja se ishte. E shoh drejt e në kriminelin, kriminelin seksual që është,” thotë ajo.

Darian shton se nuk e di nëse babai i saj ishte një “përbindësh,” siç e kanë quajtur disa.

“Ai e dinte shumë mirë çfarë bënte dhe nuk është i sëmurë. Ai është një burrë i rrezikshëm. Nuk ka asnjë mënyrë që të dalë jashtë. Asnjë mënyrë’, tha ajo.

Do të duhen vite para se Dominique Pelicot, 72 vjeç, të jetë i pranueshëm për lirim me kusht, kështu që është e mundur që ai të mos e shohë më kurrë familjen e tij.

Ndërkohë, familja Pelicot po rindërton veten. Gisèle, thotë Darian, është e lodhur nga gjyqi, por gjithashtu “po rikuperohet… Ajo po shkon mirë.”

Sa i përket Darian-it, pyetja e vetme që e intereson tani është të rrisë ndërgjegjësimin për sulmet kimike dhe të edukojë më mirë fëmijët mbi abuzimin seksual. Ajo gjen forcë tek bashkëshorti, vëllezërit dhe djali i saj 10-vjeçar: ‘Djali im i mrekullueshëm”, thotë ajo me buzëqeshje.

Ngjarjet që shpërthyen atë ditë të nëntorit e bënë atë që është sot, thotë Darian. Tani, kjo grua, jeta e së cilës u shkatërrua nga një tsunami një natë nëntori, po përpiqet të shikojë vetëm përpara.