Mijëra kanaçe dhe shishe xhami me markën Coca-Cola janë tërhequr nga tregu europian. The Guardian shkruan se Coca-Cola ka tërhequr pijet e saj në disa vende anembanë Evropës pasi ka zbuluar “nivele më të larta” të kloratit kimik. Përfaqësuesi i prodhuesit të njohur në Belgjikë ka bërë të ditur se një sasi e madhe produktesh po tërhiqet.
Kompania njoftoi se kanaçe dhe shishe qelqi që përmbajnë nivele të larta të substancës u shpërndanë në Belgjikë, Britani, Francë, Gjermani, Luksemburg dhe Holandë që nga nëntori. Ndërkohë pesë linja produktesh ishin dërguar në Britani në fund të vitit të kaluar dhe tashmë ishin shitur. Produktet e prekura përfshijnë markat Coke, Fanta, Minute Maid, Sprite dhe Tropico. Coca-Cola tha se “konsideron cilësinë dhe sigurinë e produkteve të saj si përparësinë e saj kryesore”.
“Pjesa më e madhe e produkteve të prekura dhe të pashitura tashmë është larguar nga raftet e dyqaneve, dhe ne po vazhdojmë të marrim masa për të tërhequr nga tregu të gjitha produktet e mbetura,”-deklaroi kompania, duke theksuar se është “në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente në secilin prej tregjeve të prekura.”
Klorati mund të gjendet në ushqime pasi rrjedh nga dezinfektuesit me klor të përdorur gjerësisht në trajtimin e ujit dhe përpunimin e ushqimit. Ekspozimi ndaj niveleve të larta të përbërjes kimike mund të shkaktojë probleme shëndetësore, duke përfshirë problemet me tiroiden, veçanërisht tek fëmijët dhe foshnjat.