Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump korri shpejt sukses me armëpushimin e Gazës. Por a është vërtetë kështu? Para inaugurimit të tij si president për herë të dytë më 20 janar, Izraeli dhe grupi palestinez Hamas kanë rënë dakord për t’i dhënë fund armiqësive në Gaza, ku më shumë se 46,700 palestinezë janë vrarë në 15 muajt e fundit.
Pas mbështetjes dërrmuese të demokratëve në zgjedhjet e mëparshme, shumë votues arabo-amerikanë u kthyen kundër partisë dhe kandidates së saj, zëvendëspresidentes Kamala Harris, në garën e nëntorit për shkak të mbështetjes së tyre për luftën e Izraelit. Ndërsa shumë votues arabë thonë se është shumë herët për të festuar marrëveshjen e brishtë të armëpushimit, ata theksojnë se ndërhyrja e Trump tregon se ata kishin të drejtë që të braktisnin Harris dhe demokratët.
Votimi në zgjedhjet amerikane
Zhvendosja në preferencat e votimit arabo-amerikane ishte veçanërisht e dukshme në shtetin e lëkundur Miçiganit. Në lagjet kryesisht arabe në anën lindore të periferisë së Detroit të Dearborn, Harris mori më pak se 20% të votave. Shumica e banorëve të zonës votuan për Trump ose kandidatin e Partisë së Gjelbër, Jill Stein. Ndërsa Harris pohoi se ajo dhe Biden po punonin “palodhur” për të arritur një armëpushim në Gaza, zëvendëspresidentja gjithashtu zotohej se do të vazhdonte që të armatoste Izraelin pa kushte. Administrata Biden gjithashtu vuri veton për katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonin një armëpushim në Gaza.
Roli i Donald Trump
Amer Ghalib, kryebashkiaku jemenas i Hamtramck, Michigan, ishte ndër ata që mbështetën Donald Trump vitin e kaluar, madje duke u shfaqur edhe në mitingjet e tij. Ai shpjegoi se një armëpushim i negociuar në Gaza ishte kërkesa kryesore e mbështetësve arabë dhe myslimanë të ish-presidentit që tashmë do të ribetohet.
“Ai e dinte se ishte një kërkesë e drejtë dhe njerëzore. Ne e mbështetëm atë dhe kërkuam një armëpushim, paqe, luftimin e islamofobisë, përfaqësimin e drejtë të muslimanëve në qeverinë e tij dhe promovimin dhe mbrojtjen e besimit dhe vlerave familjare dhe një edukim të sigurt për fëmijët tanë. Ai ka treguar disa shenja se po ecën përpara për të përmbushur secilin prej premtimeve të tij,”- i tha Ghalib Al Jazeera në një deklaratë.
Por si Trump ashtu edhe Biden kërkuan merita për marrëveshjen e armëpushimit të mërkurën.
“Ne kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ata (pengjet) do të lirohen së shpejti. Armëpushimi u arrit sepse ne i fituam zgjedhjet,”- njoftoi Donald Trump përmes postimit të tij në platformën e rrjeteve sociale Truth Social, përpara se banori aktual i Shtëpisë së Bardhë të bënte ndonjë njoftim për këtë çështje.
Megjithatë, është e vështirë të vlerësohet shtrirja e rolit të Trump në diplomacinë e prapaskenave.
I dërguari i Trump në Izrael
Por disa media izraelite raportuan se Trump ishte i vendosur të bindte kryeministrin Benjamin Netanyahu që të pajtohej me paktin, i cili do të çonte në lirimin e të burgosurve izraelitë në Gaza, si dhe qindra të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli. Trump dërgoi të dërguarin e tij Steve ëitkoff për t’u takuar me ndërmjetësit në Katar dhe Netanyahu në Izrael javën e kaluar. Edhe kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani falënderoi ëitkoff me emër kur shpalli pranimin e marrëveshjes.
Rezultati?
Sot, në një mbledhje urgjente, Këshilli i Sigurimit të Izraelit nën drejtimin e Netanyahut miratoi marrëveshjen me Hamasin për pengjet dhe armëpushimin në Gaza. Zbatimi i marrëveshjes pritet të nisë të dielën në orën 12:15, ndërsa pengjet e parë do të kthehen në Izrael nga Gaza rreth orës 16:00.
“Ferri”
Trump paralajmëroi në fillim të këtij muaji se “ferri do vijë në tokë” nëse të burgosurit izraelitë nuk lirohen deri në kohën kur ai merr detyrën më 20 janar.
“Nëse pengjet nuk kthehen në kohën kur unë jam në detyrë, ferri do ‘shpërthejë’ në Lindjen e Mesme dhe kjo nuk do të jetë mirë për Hamasin dhe, sinqerisht, nuk do të jetë mirë për askënd.”
Disa analistë e panë mesazhin si një kërcënim për Hamasin. Por grupi palestinez ka thënë vazhdimisht se do të pranonte marrëveshjen e armëpushimit të paraqitur nga Biden në maj, e cila përfshinte një shkëmbim të burgosurish dhe një fund të përhershëm të luftës. Ishte Netanyahu ai që deklaroi publikisht shumë herë se qeveria e tij synonte të vazhdonte luftën. Megjithatë, zyrtarë të administratës së Biden-it, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken, këmbëngulën se Hamasi po bllokon marrëveshjen.
Hala Rarit, një ish-diplomat amerikan që dha dorëheqjen vitin e kaluar për shkak të trajtimit të luftës nga administrata Biden, tha se marrëveshja e shpallur të mërkurën është i njëjti propozim që ka qenë në tryezë që nga maji. Rarit i tha “Al Jazeera” se dështimi prej muajsh i administratës Biden për të finalizuar marrëveshjen ishte “një çështje e mungesës së vullnetit politik”.
“Nëse nuk do të kishte ndryshim në administratë, unë mendoj se ne do të vazhdonim të dëgjonim saktësisht të njëjtën retorikë “ne po punojmë pa u lodhur për të siguruar një armëpushim,”- tha ai.
Ai shtoi se nuk do të kishte ndryshim nëse Harris do të ishte zgjedhur, por fitorja e Trump krijoi nxitjen që marrëveshja e armëpushimit të realizohej.
Shqetësimet për marrëveshjen
Megjithëse njoftimi i së mërkurës shkaktoi festime në Gaza, mbështetësit arabo-amerikanë janë ende të kujdesshëm. Është e paqartë nëse Izraeli do ta respektojë marrëveshjen, e cila nuk hyn në fuqi deri të dielën. Në Libanin fqinj, një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga SHBA në nëntor nuk ka arritur të ndalojë sulmet e përditshme izraelite. Izraeli ka vrarë gjithashtu dhjetëra njerëz në Gaza, duke përfshirë të paktën 21 fëmijë, që nga shpallja e marrëveshjes.
Organizatat humanitare kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që në Gaza të shkojnë ndihma.
Netanyahu në dilemë
Netanyahu duket se e ka të vështirë të flasë qartë për atë që është bërë në bisedime. Shumica dërrmuese e izraelitëve mbështesin marrëveshjen e pengjeve. Rreth 58 për qind e mbështesin plotësisht marrëveshjen, madje edhe me koston e mbajtjes së Hamasit në pushtet në Gaza, sipas një sondazhi të Institutit të Demokracisë së Izraelit të publikuar të martën. 12% e tjerë mbështesin fazën e parë të marrëveshjes – lirimin e 33 pengjeve pa një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza – por duan të rikthehen për të luftuar.
Problemi i Netanyahut është 23% që nuk e mbështesin marrëveshjen, por duan që lufta të vazhdojë për të arritur një marrëveshje më të mirë. Sipas Times of Israel, këta janë pothuajse të gjithë votuesit e koalicionit të tij qeverisës. Benjamin Netanyahu ka një zgjedhje të vështirë për të bërë. Ose t’i dorëzohet kërkesave të ekstremit të djathtë për një rikthim në luftë pas një armëpushimi 42-ditor në Gaza, ose të pranojë mbështetjen e opozitës në Izrael. Por kështu i jep asaj të drejtën e vetos për të ardhmen e tij në pushtet.