Nga galeritë e artit në Shqipëri janë zhdukur 159 vepra, piktura të Vangjush Mios dhe të tjerë kolosëve që i mungojnë identitetit kombëtar. Vetëm nga Galeria Kombëtare e Arteve u zhdukën pa gjurmë 98 vepra dhe autoritetet nuk kanë zbuluar asnjë prej tyre, që sipas referencave të tregut kushtojnë disa miliona euro.
“Grabitet ‘Vangjush Mio’”!, ky ishte titulli në mediat shqiptare korrikun e nxehtë të vitit 2012, që tronditi të madh e të vogël jo vetëm në qytetin e Korçës, por në të gjithë vendin. Piktori korçar ka 68 vite që ka ndërruar jetë, por vepra e tij u la trashëgimi për vendin dhe kontribuoi në vetvete për zhvillimin e artit modern shqiptar, deri në ndërtimin e një identiteti artistik kombëtar.
“Ka qenë mëngjes dhe mbaj mend që nga media mësova se galeria e qytetit ishte vjedhur”, kujtoi për Amforën, piktori nga Korça, Lamberto Bimbli.
“U trondita pa masë dhe ende më shkakton emocione negative kjo ngjarje, pasi vjedhja e veprave në një galeri është humbje për çdo piktor, pavarësisht faktit nëse është prekur apo jo krijmtaria e tij”, shtoi me trishtim artisti.
Nga grabitja u morën 51 vepra në pikturë, që ruheshin në institucionin publik, Galeria e Arteve Figurative “Guri Madhi” në Korçë dhe 13 vite pas ngjarjes asnjë prej veprave nuk është gjetur nga agjencitë ligjzbatuese. Disa prej veprave i përkasin pionierit të artit të peizazhit në Shqipëri, Vangjush Mio dhe si të mos mjaftoheshin me kaq, ata “morën me vete Mion”, autoportreti i tij i vitit 1917 u zhduk pa gjurmë.
Këto piktura përveçse janë pjesë e trashëgimisë kombëtare, kanë vlera të larta në tregun e veprave të artit. Nëse i referohemi pikturës së tij, të titulluar “Vjeshtë”, ajo u ofrua në vitin 2021 në një ankand televiziv me çmimin fillestar 12.000 euro – një referencë kjo që tregon se veprat e tij dhe të piktorëve shqiptare kanë arritur në shifra të larta.
“Të humbasësh një pikturë është humbje e madhe sepse së bashku me veprën ke humbur edhe ndjesitë, emocionet gjatë realizimit të saj, ndaj sigurisht që ne rrethi i artistëve, jemi prekur shumë atëherë”, rrëfeu piktori Lamberto Bimbli.