Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me agjencinë italiane të lajmeve, Italpress në prani edhe të ambasadorit italian në Shqipëri, Marco Alberti.

Ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua në ambientet e ATSH-së nga drejtoresha e përgjithshme e ATSH, Valbona Zhupa dhe Gaspare Borsellino, Drejtor i Informacionit të agjencisë italiane të lajmeve, Italpress.

Në takim morën pjesë edhe drejtori i Redaksisë së Lajmeve të Italpress, Italo Cucci, shefi i Komunikimit të ambasadës italiane në Tiranë, Giacomo Montemarani, drejtoresha e Lajmeve në ATSH, Almarina Gegvataj, shefi i Lajmeve nga Bota, Arian Jorgaqi si dhe drejtoresha e Financës, Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse, Elsa Duro.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa theksoi se ”kjo marrëveshje shënon një hap shumë të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona mike”.

“Ne jemi shumë të lumtur që sot nënshkruamë këtë marrëveshje bashkëpunimi me Italpress për shkëmbimin e lajmeve nga shumë fusha, turizëm, politikë, ekonomi, kulturë, sport duke kontribuar për informimin në kohë reale dhe me saktësi”, u shpreh Zhupa.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së theksoi se Shqipëria është vend i rëndësishëm gjeostrategjik në Ballkan dhe kjo marrëveshje pasqyron pikërisht këtë fakt.

Nga ana e tij, Gaspare Borsellino, themelues dhe Drejtori i Informacionit të Italpress u shpreh se “jam vërtet i lumtur dhe krenar për këtë hap të mëtejshëm, sepse demonstron rritjen e Italpress në nivel ndërkombëtar dhe veçanërisht në Ballkan, një zonë gjeografike dhe gjeopolitike gjithnjë e më e rëndësishme”.

“Kjo marrëveshje me ATSH-në sigurisht që do të na ndihmojë të rritemi dhe t’u ofrojmë lexuesve tanë shërbime gjithnjë e më cilësore, direkt nga Shqipëria dhe Ballkani. Kur shoh një iniciativë të tillë në botën e gazetarisë, kënaqem pa masë”, komentoi Italo Cucci, drejtor redaktues i Italpress.

“Ndërsa nga njëra anë ka përpjekje për mbylljen e tyre, ka ende ‘trima’ që mbijetojnë. Dhe për një gazetar të moshuar si unë ky është një gëzim. Fakti që jam në Shqipëri është një gëzim i dyfishtë sepse kështu më duket sikur jam me origjinë shqiptare…”, shtoi ai.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti deklaroi se “kjo është një mundësi e mëtejshme që forcon lidhjet mes dy vendeve, lidhje miqësie që po shndërrohen në një partneritet strategjik”.

“Vetë komunikimi është pjesë e strategjisë së marrëdhënieve mes dy vendeve. Ne kemi besim se kjo marrëveshje do të çojë në forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, theksoi ambasadori italian, Alberti.

Drejtori i Informacionit Gaspare Borsellino së bashku me drejtorin e redaksisë Italo Cucci, u pritën një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama ku i bënë të ditur zhvillimin e agjencisë Italpress në vendet e Ballkanit me një sërë marrëveshjesh dhe partneritetesh strategjike për të vazhduar rritjen në këtë zonë të rëndësishme gjeopolitike.

Kryeministri Rama vlerësoi shumë iniciativat e nisura nga Italpress në zonën e Ballkanit dhe shpresoi për bashkëpunim për disa çështje të rëndësishme si turizmi, i cili po shënon rritje të vazhdueshme për sa i përket flukseve turistike drejt vendit të shqiponjave, por edhe sportit.