“Këto zgjedhje janë mandati që vulos Shqipërinë në Bashkimin Europian, për të cilin keni dhe ju vëllezërit dhe motrat tona të diasporës kontribut të veçantë,” deklaroi Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla në Rimini, mes bashkatdhetarëve që jetojnë e punojnë në Itali, e që më 11 maj duhet të shprehin vullnetin e tyre politik për Zgjedhjet Parlamentare në vendlindje.
Sips Ballës Partia Socialiste siç bëri me Reformën në Drejtësi, mbajti fjalën edhe për Votën e Diasporës.
“Prandaj Regjistrohuni në KQZ/PER, votoni Partinë Socialiste, bileta e vetme për në Bashkimin Europian. Të tjerët janë ose pa kokë, ose si Sudja dhe Xhaferri”
Diaspora, tha më tej Balla mund të na ndihmojë të kemi 84 vota pas 11 majit për të vijuar reformat.
“Kur të shihni partitë, s’ke çfarë sheh tjetër përveç PS, të tjerat janë kot, njëra është non grata s’hyn në punë. Do të doja këtu nga Rimini t’i ktheja një përgjigje këtij non gratës, që na kritikoi pse po e bëjmë takimin te salla e sindikatave të CGIL, po e tha Jozefina e ka thënë non grata.
Shumë faleminderit që na kanë mikpritur këtu, ndërsa ata ishin shqetësuar që djemtë dhe vajzat kishin njoftuar njëri-tjetrin. E patë përgjigjen që i dhashë, që unë jam i gatshëm që në këto takimet që bëjmë ne pasi të mbarojmë ne të flasin dhe ata, s’ka asnjë problem. Populli t’i dëgjojë të gjithë e të votojë për kë dëshiron,” deklaroi Balla.
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste u tha emigrantëve se e vetmja alternativë për të votuar sot është Partia Socialiste dhe Edi Rama duke renditur arritjet dhe qëllimet, që nga vota e diasporës deri te marrëveshja e pensioneve.
“Ne sot jemi me 19 marrëveshje me vendet e BE dhe me modelin që arritëm me Italinë (marrëveshja e pensioneve) qeveria shqiptare do paguajë koston e kësaj marrëveshjeje, pra kontributet e munguara të një pjese dhe nëse kthehesh në Shqipëri do marrësh dy pensionet dhe kjo falë Italisë dhe Edi Ramës që të jemi të qartë.
Mund të thotë dikush: Taulant e keni të fituar! E kemi por e duam çik të thellë, s’e duam për golavarazh, e duam të thellë sepse duam të kemi në Kuvendin e Shqipërisë një ekip të fortë i cili t’i mundësojë Edi Ramës gjatë këtij mandati të rëndësishëm anëtarësimin në BE.
Non gratat nuk kanë mend të na japin mbështetje votat për ligjet e integrimit europian. Duam mbështetjen tuaj që për ata që janë pak më të vjetpr në moshë, që ju më të rinjtë t’i ndihmoni ta plotësojnë këtë regjistrimin. E vërteta është që pres nga komuniteti i shqiptarëve në Itali që është komuniteti më i madh, një fitore shumë të madhe të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Ndaj shumë faleminderit.”
Balla bëri një prezantim të mënyrës si emigrantët mund të regjistrohen, duke thënë se është një proces që nuk do t’u marrë më shumë 5-7 minuta kohë nga dita e tyre, por për ta bërë këtë duhet të kenë një telefon me kamera ballore me cilësi të pranueshme rezolucioni ose kompjuter, dhe në faqen e KQZ të hyjnë në platformën elektronike të regjistrimit, e ndërtuar me teknologjinë më të mirë sot në botë.
“Që të vërtetosh se ditën e zgjedhjeve nuk je në Shqipëri duhet të kesh një “permesso di soggiorno” ose të jesh në shkollë ose të jesh larg qoftë në një spital apo arsye të tjera që ka renditur Kodi Zgjedhor dhe dokumenti që mund të vendosë pjesa më e madhe është kartë ID në Itali. Tek ajo faqja prapa ka dhe adresën ku jetoni dhe duhet të vendosni atë sepse një pjesë prej jush që ju është refuzuar aplikimi kanë vendosur pjesën përpara. Mund të kesh kontratë qiraje, vendos atë. Dhe për familjarët e tjerë duhet t’i bëni një foto të dyjave dhe kontratës dhe certifikatës që e printoni nga e-Albania pa asnjë lloj shpenzimi. Adresa që vendos duhet të jetë ajo që ke te dokumenti, pa harruar kodin postar.”
Balla informoi emigrantët e Riminit se zarfi me fletëvotimin do t’u shkojë me postë nga data 25-30 mars, pasi të jetë bërë edhe një ndryshim për afatin e dorëzimit të listave partiake të kandidatëve.