Me një ndërhyrje tjetër në kuvend, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u ndal te problematika e nënshtetësisë së shqiptarëve në Europë. Sipas Ballës rimarrja e shtetësisë duhet të ketë një procedurë të përshpejtuar. dhe Balla solli si shembull ata në Gjermani që dikur me ligj detyroheshin të hiqnin dorë nga shtetësia dhe përshëndeti shqiptarët që po e kërkojnë atë pas shfuqizimit të ligjit atje. Balla mbështeti propozimin për ndryshime në ligjin për shtetësinë, për përshpejtimin e procedurës për rimarrjen e nënshtetësisë shqiptare.
“Do ishte mirë që Kuvendi i Shqipërisë, edhe me nismën e një deputeti, të mundësojë krijimin e një korsie të veçantë procedurale për marrjen e shtetësisë. Por, do Zoti, sapo ta konkretizojmë këtë propozim, nuk vini ju prapë me atë që bëtë në fillim të seancës, që thoni: nuk mund ta bëjmë tani para zgjedhjeve sepse kjo krijon përfitime për qytetarët dhe nuk na lë kodi zgjedhor. Ligjet të gjitha krijojnë përfitime për qytetarët dhe ndaj jemi në këtë sallë që të bëjmë ligje në dobi të qytetarëve,” tha Balla.
Balla tha se ky ndryshim nuk duhet t’u shërbejë vetëm shqiptarëve në Gjermani që po u rikthehet nënshtetësia, por duhet të krijohet edhe një korsi e veçantë për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë që nuk janë regjistruar në lindje, por që në bazë të kushtetutës u takon shtetësia.
“Do duhet të ulemi të flasim edhe për një mbështetje më të madhe sa i takon diasporës në dobi të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Duhet të bëjmë ç’është e mundur që çdo fëmije që lind nga të paktën një prind shqiptar t’i garantojmë mësimin e gjuhës shqipe. Historia do na gjykojë sa përpiqemi të bëjmë për këtë gjë. Që ndërsa ne flasim shqip këtu në kuvend të Shqipërisë, shqipja të kuptohet nga çdo fëmijë dhe çdo qytetar shqiptar të diasporës. Prandaj mbështetni marrëveshjen e hekurudhave, ju bën nder ta votoni investimin e hekurudhës që kalon përmes Rinasit. Ne do vazhdojmë ta qeverisim Shqipërinë edhe në mandatin tjetër dhe besoj që dhe juve e dini këtë gjë, por jua do kënga ta këndoni këngën si ju duhet!” deklaroi ministri Balla.