Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, gjatë qëndrimit në Detroit, zhvilloi një vizitë në biznesin “Universal Transport”, një ndër kompanitë më të mëdha të transportit në shtetin e Miçiganit, në pronësi të Adriatik Shekos, që merret me transportin e pjesëve të këmbimit në të gjitha shtetet.
Kjo kompani, me zyrë edhe në Shqipëri, ka të punësuar 250 persona, mes të cilëve edhe shqiptarë, dhe ka 25 vite që bën biznes.
“Pjesa në Shqipëri është në funksion të dispeçerisë këtu, të cilat merren me të dhënat që dërgon sistemi dhe i shkojnë klientit. Kemi momentalisht 12 vetë të punësuar në Shqipëri,” tha Sheko, ndërsa Balla vlerësoi idenë e transferimit të një pjese të operacioneve të një biznesi shqiptar nga SHBA në Shqipëri.
Biznesmeni mendon të investojë në Shqipëri, duke thënë se ndryshe nga vitet e para të demokracisë, kur të gjithë iknin, tani mendojnë kthimin. Ai e falënderoi Drejtuesin Politik të Partisë Socialiste për Diasporën për mundësinë që kanë këtë vit shqiptarët jashtë atdheut për të votuar.
“Ky është një lajm i bukur,” deklaroi Balla, duke e cilësuar të padrejtë që diaspora ishte e përjashtuar nga vendimmarrja.
“Thirrja ime këtu nga Detroiti, nga shteti i Miçiganit, për të gjithë bashkatdhetarët jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën është: duhet të regjistroheni! Është shumë e rëndësishme që të kuptoni që deri në 4 mars është afati i regjistrimit. Mjafton telefoni, i cili të jetë i pajisur me një kamera ballore, të hysh në faqen KQZ.GOV.AL, vendos numrin tënd të telefonit. Aty të vjen një kod nga KQZ dhe duhen vetëm pak minuta, 4-5 minuta, ku ti të vendosësh disa të dhëna, përfshirë këtu fotografimin e fytyrës, kartën e identitetit shqiptare, apo pasaportën shqiptare dhe një dokument që të vërtetojë adresën këtu dhe ti quhesh një votues nga jashtë, i regjistruar dhe në atë adresë do të vijë dhe fleta e votimit.”
Balla tha se pjesëmarrja duhet të jetë sa më e madhe sepse jemi në një kontekst historik të mandatit gjatë të cilit do të ndodhë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.