Prokuroria e Posaçme ka reaguar për akuzat e ngritura nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe eurodeputeti Fredi Beleri, nuk janë lejuar të takojnë Ilir Metën në burg. SPAK sqaron se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Dule dhe Beleri për të takuar ndonjë të paraburgosur.

“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.

Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur”, thotë SPAK në reagim.

Prej 3 muajsh Meta ndodhet në qeli dhe bashkë me Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po ashtu, ndaj familjes së tyre SPAK ka nisur edhe hetim pasuror.