Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka komentuar mbi mundësinë që “non grata” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha të hiqet, duke folur në emisionin “Debat” të Alba Alishanit në A2 CNN. Këlliçi theksoi se, politikisht, ky status ka rënë dhe, sipas tij, si mekanizëm juridik do të eliminohet në një të ardhme të afërt, pas ndryshimeve që kanë ndodhur në administratën amerikane.
Ai theksoi se partnerët e rinj të SHBA në administratën e Donald Trump janë të informuar mbi lobimin që është bërë për të izoluar opozitën shqiptare dhe mbi përdorimin e “non gratës” si një mjet politik.
“Non grata mund dhe do të hiqet,” tha Këlliçi, duke u mbështetur në qëndrimet e disa senatorëve të SHBA, të cilët kanë kërkuar shfuqizimin e këtij mekanizmi, duke e konsideruar atë si një mjet të përdorur për të goditur politikanët e djathtë në vende të ndryshme, përfshirë Guatemalën.
Këlliçi tha se përveç ndryshimit të administratës në Washington, SHBA ka pasur mundësinë të informohet për situatën politike në Shqipëri, ndërsa theksoi se disa figura të rëndësishme politike në SHBA, përfshirë një ish-kongresmen, kanë kërkuar transparencë lidhur me vendimin e DASH për non gratën ndaj Berishës, por kanë mbetur të pakënaqur nga mungesa e informacionit.
Sipas Këlliçit, situata tani është më pozitive për Berishën, duke theksuar se qëndrimi i administratës Trump është në favor të ish-kryeministrit shqiptar.
“Politikisht non grata ka rënë, por dhe si mekanizëm juridik, ajo do të hiqet sepse partnerët tanë të rikthyer në administratën amerikane, janë njohur me të gjithë lobimin që është bërë për të izoluar opozitën në Shqipëri. Non grata mund dhe do të hiqet. Sot në DASH është Rubio, i cili një vit më parë, së bashku me 7 senatorë të tjerë, i dërguan një shkresë Bidenit ku dënonin dhe kërkonin shfuqizimin e non gratave në Guatemalë sepse konsiderohej një mjet politik për goditjen e politikanëve të djathtë.
Kemi kaluar nga një administratë amerikane, e cila non gratën e kishte një mjet të fortë për diplomacinë e saj, në një tjetër administratë, ku edhe Sekretari i Shtetit është shprehur qartë se ky mekanizëm politik shpesh herë është përdorur për të goditur kundërshtarët e të majtës në botë. Gjithashtu, ne kemi pasur mundësinë të informojmë të gjithë partnerët tanë dhe miqtë tanë për të gjithë situatën politike në Shqipëri.
Ai që është sot Ministër Mjedisi në SHBA, dikur kongresmen i Nju-Jorkut, është një ndër kongresmenët që i ka shkruar 3 herë zyrtarisht DASH-it, 3 herë zyrtarisht Blinkenit për të marrë informacion më te detajuar për non gratën e Berishës dhe në të treja herët nuk i është bërë transparencë për këtë vendimmarrje. Sot ai është pjesë e kabinetit Trump dhe qëndrimi i tij ka qenë tërësisht në favor të Berishës”, tha Këlliçi.