Karim Benzema, tani lojtar i Al-Ittihad në Arabinë Saudite, ka bërë një vizitë speciale në hotelin ku qëndrojnë lojtarët e Real Madridit në Jeddah, në prag të Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës. Ish-sulmuesi i merenguesve ka dhënë një intervistë për “Marca”, ku ka folur për përvojën me Al-Ittihad dhe lidhjen e tij me Real Madridin.

Për sezonin e tij me Al-Ittihad: “Skuadra po shkon mirë, shokët e mi janë mirë, tifozët po argëtohen, edhe klubi është i kënaqur… Gjithçka është perfekte. Jemi në rrugën e duhur për të arritur objektiva të rëndësishëm këtë sezon. Ka ende shumë për të bërë. Në fushë jap gjithçka për skuadrën dhe tifozët, shpresoj që ata të jenë të kënaqur me çfarë po bëj”.

Për mundësitë e largimit nga futbolli: “Jo, jo. Janë fjalë të dikujt që nuk më njeh fare. Budallallëqe. Nuk kam asnjë limit deri tani, për të thënë që pas dy, tri ose katër vitesh do të largohem nga futbolli. Ndihem mirë, falë Zotit. Trupi im është në formë. Po përgatitem mirë dhe do të shohim çdo vit se si do të ndihem”.

Për Real Madridin: “Real Madridi është gjithmonë Real Madridi, domethënë është një skuadër që fiton gjithçka ku garon. A më mungon? Po, është klubi im. Kam kaluar gjysmën e jetës time aty dhe ndihem si në shtëpinë time. Gjithmonë i shikoj ndeshjet e Real Madridit”.

Për Vinicius dhe “Topin e Artë”: “Me Vinicius kemi folur për ‘Topin e Artë’, por thelbësisht ishte një bisedë me të gjithë, për gjëra të thjeshta, për jetën. Çfarë i thashë? Të mos dekurajohet, të mos e ulë asnjëherë intensitetin, sepse ai është më i miri në botë dhe një ditë do ta fitojë ‘Topin e Artë’. Jam i bundur për këtë”.

Për ish-trajnerin Ancelotti dhe Florentino Pérez: “Është një trajner i shkëlqyer. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të, si dy miq. Florentino Pérez? Nuk ishte aty. Kam folur me të në WhatsApp dhe i kam thënë që duhet të takohemi. Duke qenë se ai do të vijë, do ta shoh para finales dhe do të bisedojmë”.

Për mundësinë e rikthimit te Real Madridi: “A më kalon mendja për një rikthim? Po, sigurisht, pse jo. Momentalisht jam në Jeddah dhe ndihem shumë mirë. Do të vijë momenti për të parë si do të shkojë jeta dhe sigurisht që do të mendoj për Madridin”.