Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u shpreh sot në prezantimin e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, se ky institucion ka bërë hapa të mëdhenj në dekadën e fundit drejt një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë.

“Ndajmë me ju sot si një histori suksesi, historinë e një institucioni që ka një shtyllë të fortë të sigurisë dhe të besimit në rritje për shoqërinë shqiptare. Policia e Shtetit në dekadën e fundit ka bërë hapa të mëdhenj drejt një të ardhme më të sigurt, më të drejtë për të gjithë ne”, tha Hoxha.

Ai u shpreh krenar që, “së bashku kemi ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për Policinë e Shtetit shqiptar mbi themele shumë të forta”.

“Këto vlera janë bërë parimi udhëheqës i çdo veprimi që ndërmarrim. Nuk janë fjalë, as thjesht një ide, por parime që i kemi zbatuar me përpikmëri dhe dedikim”, theksoi ministri Hoxha.

“Në dekadën e fundit perceptimi i publikut është transformuar ndjeshëm duke rritur besimin e tij. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht por është rezultat i një pune të palodhur përfshirë këtu, modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, transparencën në çdo vendimmarrje, duke siguruar dhe informuar qytetarët në kohë reale dhe duke i përfshirë ata në vendimmarrjet tona”, u shpreh Hoxha.