Nga Blerina Moka

Për të katërtin vit radhazi, Big Brother Vip Albania, vijon tja dalë të nxjerrë ‘lakuriq’ artistët që vendosin të marrin pjesë në këtë format për të fituar çmimin e Madh prej 100 mijë euro.

Jo vetëm kaq! Por dhe të ofrojë skenar të njëjtë, love story që zgjasin vetëm brenda formatit dhe debate e dhunë mes njëri-tjetrit, ku fiton ai që bërtet e ulëret pasi ecet me teorinë “ka të drejtë ai që bërtet më shumë’.

Ajo ca I serviret shikuesit, janë dramat, lotët për histori që nuk kanë asnjë dallim me cfarë kalojnë njeëz të thjeshtë përtej ekranit, dhe pak, shumë pak vlera, për të mos thënë fare.

Prej kohësh, në Big Brother Vip Albania nuk ka VIPA. Atje shihen njerëz të rëndomtë që nuk e kanë për gjë të përdorin fjalët që gjenden në faqen e fundit të fjalorit të shqipes.

‘Artistët’ tanë VIPA, nuk janë as më shumë e as më pak, se ai gangsteri i lagjes, ose ajo llafazania apo intrigantja e shkallës, e cila në kujtesën time ishte një grua plakë e vetmuar, ndërsa në Big Brother Vip Albania, imazhi i saj është i kuruar deri në detaj.

Gangsteri VIP të shitet si i drejtpërdrejtë, ai ulëret, fyen, lëndon, pështyn, jargavitet madje të vjen deri tek fytyra pa mundur të të godasë, sepse e di që përjashtohet direkt.

Kurse llafazania e shkallës, intrigantja, teksa përpiqet të hiqet si VIP, zonjë, apo ku e di unë çfarë etiketimesh i pëlqen ta quajnë, e ruan veten deri diku, por më pas del në origjinë.

Nis të ulërasë, të ngatërrojë kush ti dalë, të fyejë me nënë e motër, të të kujtojë çke qenë e cdo jesh, e më e keqja, këtë thotë se e bën në kuadër të lojës.

Ajo çfarë sheh publiku nga jashtë, duket se ngjason me skenat në ndonjë spital psikiatrik, ku kamerat fiksojnë mimika fytyrash të çmendurish.

Por ajo që dëgjon shikuesi I këtij formati, në dy netët e spektaklit, është jo vetëm shokuese, por e paimagjinueshme.

Në Big Brother VIP, secili prej personazheve artistë VIP kalon një dramë në jetë, si ne të gjithë. Secili prej tyre ka kaluar momente depresioni, panik ankthi, disa prej tyre kanë shkelur dhe ligjin, janë dënuar, e kështu, zinxhiri i historive dramatike të VIPA-ve tanë është i gjatë, sa ti mendon sa me fat je që s’i ngjason asnjë historie të tyre, ose të paktën s’ke ndërmend të bërtasësh sa ke vuajtur në jetë.

Në fund të cdo sezoni të Big Brother VIP ti thua se nuk do e ndjekësh më, pasi janë të njëjtët personazhe, arrogantë, intrigantë, pa vlera, rreken të ngrenë kauza por nuk janë asgjë, të gjithë janë kundër të gjithëve, për të rrëmbyer çmimin e madh.

Në fund të çdo sezoni, ti kupton se paraja është motori që nxjerr në pah të keqen, zbulon thelbin e njeriut të veshur ‘me petkun e artistit’ por vetëm artist që nuk është!

E në fund të çdo sezoni, gjithnjë e më pak, ti dëshiron ti shohësh këta artistë në skenë, si dikur, para se ti njihje në ‘skenën’ e Big Brother VIP.

Dhe sado të justifikohen se sjelljet e tyre janë në kuadër të lojës, ajo çfarë ke parë në 4 muaj të mjafton të krijosh bindje se njeriu nuk sillet ndryshe nga çfarë është.

Të jesh njeri, është sfidë që jo të gjithë ia dalin, aq më pak në Big Brother.