Në këto ditë të para të Janarit, mediat më të mëdha europiane janë foksuar tek përcaktimi i destinacioneve që do të jetë kryefjalë e turistëve gjatë vitit 2025.

Tabloidi i njohur gjerman “Bild” ka bërë një renditje të disa prej vendeve të kontinentit europian që pritet të janë në modë edhe vitin që sapo ka filluar. Në krye të tyre është Shqipëria.

Për vendin tonë thuhet se nuk është më një destinacion vetëm i pushuesve vendas, por në vitin 2025 do të bëhet një destinacion trend për ata që kërkojnë diell dhe që adhurojnë plazhet.

Uji i kristaltë, gjiret e vegjël dhe fshatrat simpatikë bregdetarë si Ksamili dhe Himara po tërheqin vizitorë në Rivierën Shqiptare, citohet në shkrim. Nëse në Europë debati mbetet turizmi masiv, për Shqipërinë thuhet se situata është tjetër.

“Ndryshe nga rajonet e mbipopulluara të Mesdheut këtu ende mund të gjeni plazhe të izoluara dhe të shijoni natyrën” – thuhet në shkrim.

Në listën e sugjerimeve të “Bild”, Shqipëria renditet krah Puljas në Itali, ishujve Azore, Sllovenisë, Gjeorgjisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nga Janari në Gusht të vitit të shkuar, vendin tonë e vizituan mbi 253 mijë turistë gjermanë me një rritje mbi 18%.

Në pritje të shifrave të Dhjetorit, Shqipëria numëroi deri në nëntor të 2024-ës mbi 11 milionë turistë të huaj.