Deputeti socialist Erion Braçe ishte i ftuar në “Noë” me Erla Mëhillin, ku foli për herë të parë në media pasi Kryeministri Rama vendosi ta largojë pas 12 vitesh nga Divjaka dhe ta shtojë emrin e tij në “armatën” e socialistëve që do të drejtojnë fushatën e kryeqytetit.
Në intervistën e tij, Braçe foli dhe për intervistën e dhënë nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nga arratia, i cili akuzoi ish-bashkëpunëtorët e tij, përfshirë kryeministrin Rama.
Braçe u tregua i ashpër me ish-zv/Kryeministrin Ahmetaj, duke thënë:
“Mendoj vetëm se si u prish TVSH-ja e bujqësisë, vetëm kaq.
E kam të vështirë ta gjej në këtë sistemin digjital televizionin ku flet ky zotëria, jam munduar të ndjek lajmet që kanë zbardhur mediat të nesërmen. Më ndodh të lexoj çfarë kanë mediat një ditë më pas dhe nuk më ka rastisur ta shoh. Dhe më pas, si reflektim, lexoj librin ‘Mashtruesi’ të Javier Cercas. Më dhemb pafund që TVSH-ja ka bërë dëme ndaj sektorit të bujqësisë”.
I pyetur për kolegët e vjetër që i mungojnë më shumë, Braçe i përlotur përmendi disa prej tyre.
“Më mungojnë ata që nuk janë më në jetë. Fjala bie, Dritëro Agolli që do të ishte një luftëtar i madh që do të mbronte popullin e fshatit. Luan Hajdaraga, Fred Paloka, Bashkim Fino, Dritan Çerma, Sabit Brokaj…(preket).”
Ndërsa nga kundërshtarët politikë, Braçe vlerësoi Sokol Olldashin, Jozefina Topallin, Bamir Topin, Astrit Patozin apo Majlinda Bregun, për të cilët tha se e ka marrë malli të debatojë në Parlament.
Braçe vlerësoi edhe këmbënguljen dhe forcën e Sali Berishës, por tha se kjo ndonjëherë ka shkuar për keq, sepse ish-Kryeministri duhet të dinte të përmbante veten si në rastin e 21 Janarit.
“Unë jam i mendimit se nëse ke diçka, duhet t’ia thuash dikujt përballë. E kam bërë këtë përballë kryeministrit dhe ministrave. Unë them ‘jo’ për gjëra që lidhen me parimet e mia, të cilat nuk i negocioj dhe nuk i kam negociuar ndonjëherë.”