Nga Ylli Pata
Siç u pa qartë gjtë ditës së sotme, por edhe në nisjen e procedimit penal të dosjes “Partizani”, kemi dy panorama të ndryshme në mjediset e SPAK, sallat e Gjykatës Speciale, dhe në oborrin përpara institucionit që sot është kthyer në kryefjalën e opinionit publik.
Avokatët e Sali Berishës, vetë Doktori, po përballen procedurialisht me procesin, ku në salla dhe zyra bëhet një betejë e fortë me argumente dhe kundërargumente. Përballja zhvillohet egërsisht nen për nen e presje për presje.
Me fjalë të tjera, Berisha e ka pranuar se “Çeçua ka biçak” dhe është përgatitur për këtë luftë. E cila siç dihet është një betejë që nuk ka lidhje as me kalimin e Rubicon-it siç bëri Çezari për të marrë pushtetin në Romë, e as me betejën e Arcole-s, që bëri Napoloni në Itali.
Beteja reale e Sali Berishës po zhvillohet nga një masë dhe ekspertizë e zgjeruar avokatësh, të cilët kanë arritur deri tani jo pak suksese për ta vonuar, zvarritur, zhargavitur procesin penal për çështjen Partizani.
Dhe sot, ata, pra avokatët, arritën një sukses tjetër të vogël, një betejë të fituar, për ta shtyrë vendimin për nisjen e përballjes gjyqësore deri më 20 janar.
Siç tha avokati Genc Gjokutaj, strategjia e mbrojtjes së Sali Berishës është që të mos ketë fare proces. Natyrisht që është një ambicje e madhe, e sipas gjasave jo e arritshme.
Por taktika immediate është që ta shtyjnë e zvarrisin sa më shumë procesin, duke përdorur hapësirat që të jep ligji, kodet e procedurës, pra sistemi i drejtësisë së re, të cilin Sali Berisha, po e njeh që çke me të.
Më pas, kur del jashtë përpaa mediave dhe publikut, ai nxjerr arsenalin e tij për t’u dukur një tigër, në sulmet, shantazhin dhe trajtimin politik që i bën çështjes për të cilën akuzohet, taktikës së famshme braziliane që “mbrojtja më e mirë është sulmi” dhe kaosit e konfuzionit për të cilat është një mjeshtër i vjetër.
Por të gjitha këto, duket se janë thjesht lëvizje bosh, ose lëvizje që nuk e tregojnë realisht doktorin një tigër politik. Jo se dhëmbët e tij kanë rënë për arsye biologjike dhe forca nuk është ajo e vjetra. Pasi një bishë e vërtetë, e ka fuqinë vrasëse, edhe kur është në minutat e fundit të jetës.
Sali Berisha, në realitet është një relike politike në kuptimin e plotë të fjalës. Ai ka humbur betejën e tretë të jetës së tij siç është 2013, e nuk ka asnjë shans që të rikthehet si “violinë e parë” e pushtetit në Shqipëri. Nuk është thjsht punë sondazhesh dhe perceptimesh, pasi gjithçka e tregon vota dhe në mënyrë përfundimtare.
Vetë doktori e kuptoi këtë në 2013, ndaj dhe dha atë dorëheqje teatrale, me shpresë se duke qenë në prapaskenë do të lëvizë fijet për vete, klanin e tij, e sidomos familjen për të restauruar berishizmin si alternativë.
Sot, kjo ëndërr e vonë e këtij dinosauri politik shqiptar, që po tenton të sfidojë çdo ligj të dialektikës politike është e venitur përfundimisht. Madje, me insistimin e tij, Berisha ka prishur realisht edhe avenirin politik të rrethit të afërt, rreth, i cili kishte gjasa që të gjente në kohën e duhur hapësirën për të risjellë frymën e të parëve.
Siç e bëri miku i tij i vjetër në Athinë Kostas Karamanlis, apo miku i ri me të cilin u bë aleat në zgjedhjet lokale, kryeministri i sotëm i Greqisë, Qirjakos Micotaqis.
Zhurma e Sali Berishës në oborrin e SPAK, do të jetë sipas të gjitha gjasave refreni apo kolona zanore e fushatës zgjedhore për Parlamentin e ardhshëm. Kolonë që natyrisht nuk do të jetë e vetmja, e nëse seancat gjyqësore të dosjes Partizani do të jenë të hapura, është ajo kolonë zanore që do të fitojë “festivalin” publik të fushatës.
Megjithatë beteja reale për një politikan janë zgjedhjet, ku secili; i vogël a i madh i vendos vetes objektiv për fushatën që vjen.
Sali Berisha ka luajtur në të gjitha zgjedhjet për të qenë lojtar kryesor, por jo gjithmonë për të fituar. Dhe siç tregojnë të dhënat historike, dy herët që ka ardhur në pushtet, ngjarjet janë zhvilluar më shumë në prapaskenë sesa në fushë të betejës, ku asnjëherë nuk ka qenë njeriu më i votuar nga shqiptarët.
Gjithsesi, e gjitha kjo është histori, e cila edhe pse sfidohet nga doktori, ajo po luhet sot edhe në ditët në vazhdim. E pikërisht në këtë histori, zhurma që bën Berisha, e që përforcohet nga altoparlantët papagallë mediatikë, nuk është gjë tjetër veçse provë e pafuqisë së tij.
Pasi nëse realisht do të kishte fuqi dhe mbështetje, siç e ka treguar edhe në të shkuarën, thjesht do të buzëqeshte dhe do të na tregonte atë maskën e pjesës së mbrapme që tregonte gjatë përplasjes Meta-Nano në vitet 2000. Maskë që miku i tij Bujar Kapexhiu, e ka ilustruar mjeshtërisht në filmin e tij: “Edhe kështu, edhe ashtu”.