Milani fitoi 2-1 me përmbysje kundër Juventusit dhe do jetë në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Interit, sfidë që luhet të hënë.

Dueli ishte më shumë se emocionues për Sergio Conceiçaon, trajnerin e ri të Milanit që debutoi me fitore në ndeshjen e parë. Veç këtij momenti, emocionues fakti se trajneri kishte përballë si rival të birin, Franciscon, me përqafimin në fund që nuk mund të mungonte.

Pas ndeshjes trajneri i Milanit tha se nuk kishte emocione dhe pas 45 minutave të para nuk përqafoi asnjë lojtar në dhomat e zhveshjes.

“Mund të them se pas 45 minutave të para, në dhomat e zhveshjes nuk iu kam dhënë puthje lojtarëve. Jam zemëruar pak, sepse nuk po bënin në fushë atë që kishim përgatitur. Kjo gjë më zemëroi pak. Po e jetoj këtë moment me një grup të përulur, një grup të mirë lojtarësh.

Ndonjëherë mungon pak ajo ‘egërsia’ e mirë për të arritur diçka më shumë, por me kohë do ta arrijmë. Lojtarët kanë nevojë për një fjalë të bukur, por edhe për ndonjë ‘shkundje’. Nuk jam shumë simpatik, nuk më pëlqen të përqafoj njeri. Më shumë janë herët kur zemërohem sesa e kundërta.

Për lojtarët, e rëndësishme është të punojnë mirë dhe të kenë shumë energji pozitive. Është një grup me cilësi, jam shumë i kënaqur me grupin, sepse e ka pranuar mesazhin dhe një trajner që nuk buzëqesh shumë. Kjo më kënaq, sepse unë jam këtu jo për të bërë miq, por për të fituar. Kjo është më e rëndësishmja”, tha portugezi.