Një delegacion rus mbërriti në Damask të martën, duke shënuar vizitën e parë zyrtare në Siri nga zyrtarët rusë që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor. Al-Assad, një aleat i vjetër i Moskës, u strehua në Rusi pas një ofensive të shpejtë rebele që i dha fund sundimit të tij.

Delegacioni përfshinte zëvendësministrin e jashtëm rus Mikhail Bogdanov dhe Alexander Lavrentyev, i dërguari special i presidentit rus për Sirinë, sipas medias ruse RIA Novosti.

Qeveria e përkohshme e Sirisë nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi vizitën. Megjithatë, gazeta Al Ëatan raportoi se zyrtarët rusë pritej të takoheshin me liderin de fakto të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, si dhe me ministrin e jashtëm të vendit.

Moska luajti një rol vendimtar në luftën civile të Sirisë, ndërhyrja e saj ushtarake ndihmoi në kthimin e valës në favor të regjimit të al-Assad-it ndërsa vendi ra në kaos.

Ndërkohë autoritetet e reja siriane kanë ruajtur marrëdhëniet me Moskën dhe kanë lejuar forcat ushtarake ruse të qëndrojnë në bazat e tyre, por në të njëjtën kohë edhe disa marrëveshje janë anuluar.