Manchester United i Ruben Amorimit po merr frymë pak më lehtë, pas fitores ndaj Fulhamit (1-0), këtë të dielë, fitorja e tretë në katër ndeshjet e fundit. Pas ndeshjes, trajneri portugez u duk më shumë i lehtësuar, sesa i kënaqur me rezultatin.
“Ndjenja e fitores dhe e tri pikëve të fituara është shumë e rëndësishme për ne. Nuk mund të shihet një përmirësim i madh në ekip dhe ky është një fakt. Por fitorja na ndihmon të përmirësohemi.
Kjo nuk ishte ndeshja më e mirë, por ne arritëm të fitonim. Ndonjëherë ndihem i frustruar, ne duam të luajmë një stil tjetër dhe do ta bëjmë këtë në të ardhmen. E rëndësishme është që unë të kem një ide të qartë se çfarë dua të bëj,” tha ai për BBC .
Manchester United i rikthehet fitoreve në prag të ditëlindjes së trajnerit të tij. Portugezi Amorim, i cili këtë të hënë feston 40-vjetorin, bëri pak humor duke u shprehur se kjo nuk duket e vërtetë: “Nuk janë 40 vjet… Unë jam 50! Pas dy muajsh në Manchester United, unë jam bërë 50. Është privilegj të kaloj 40 vjetorin tim këtu”.