“Nëse ju pëlqeu Trumpi i parë, do t’ju pëlqejë edhe i dyti,”-kështu i tha AFP-së një ditë më parë Peter Lodge, profesor i komunikimit në Universitetin George Washington. Kur u betua si president për herë të parë, më 20 janar 2017, Donald Trump u konsiderua nga shumë njerëz si një aksident historik, një parantezë e shkurtër në historinë politike të SHBA. Në katër vitet që pasuan, ai u përball me një kundërshtim të ashpër nga “deep-state”, Kongresi, madje dhe nga gjithë struktura republikane.
Por tani, 4 vite më vonë, Trump kthehet fitimtar duke shënuar rikthimin më të bujshëm në historinë moderne. Partia Republikane, e cila kontrollon Kongresin, është bërë zëdhënëse e MAGA-s, ndërsa kundërshtarët e tij tashmë janë të dëshpëruar. Në ceremoninë e inaugurimit të sotëm do të marrin pjesë tre njerëzit më të pasur në botë: sigurisht Elon Musk, sponsori kryesor dhe këshilltari i ngushtë i presidentit (të paktën derisa egot e tyre të përplasen); Mark Zuckerberg i Facebook dhe Instagram dhe Jeff Bezos i Amazon dhe “Washington Post”, i cili po financon me bollëk dokumentarë rreth jeta e Melania Trump.
Në mesazhin e tij të lamtumirës, Joe Biden paralajmëroi për rrezikun e varrosjes së Republikës Amerikane nga “oligarkia”, por kush po e dëgjon?
Një Trump i shfrenuar, pa ankthin e rizgjedhjes, me shqetësim vetëm për gjurmën që do të lërë në histori, përfaqëson makthin më të keq për versionin e krijuar të euroatlantizmit. Shenjat e para tashmë janë të dukshme. Duke thyer një traditë të paktën 150-vjeçare, e cila donte që inaugurimi i presidentit të ishte një ngjarje ekskluzivisht amerikane, Trump ftoi liderë të huaj në ceremoninë e sotme. Shumica e tyre janë liderë që i përkasin të djathtës ekstreme.
“Projekti 2025”
Një ‘shi’ me dekrete presidenciale (ndoshta më shumë se 100), kjo na pret javën e parë të mandatit të Trump. Përtej qëndrimeve fikse për kufizimin e abortit, promovimin e vlerave të krishtera, uljen e taksimit të kapitalit, shtylla e “Projektit 2025” ishte shkurtimi drastik i shpenzimeve të qeverisë për të zbutur borxhin publik që ka arritur në 36.3 trilionë dollarë.
Elon Musk, i cili ka marrë përsipër detyrën e shkurtimeve, tha se modeli i tij është Javier Millay. Pasojat do të jenë tragjike për klasat punëtore, të cilët votuan për Trumpin në mazhorancën e tyre. Për sa i përket politikës së jashtme, polemikat e para shpërthyen para se ai të merrte detyrën: ai kërcënoi se do të pushtonte Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë, edhe me forcë ushtarake po të ishte nevoja.
Po ashtu, premtoi se do të vendoste 20% sanksione për të gjitha importet evropiane dhe 60% për ato nga Kina.
Parahistoria
Realiteti, megjithatë, është më kompleks, nëse nuk duam të harrojmë disa të vërteta shqetësuese. Ai që lancoi i pari sloganin MAGA (Making America Great Again) ishte Ronald Reagan në fushatën elektorale të vitit 1980. Vlerat dhe aleancat nuk ishin për presidentët e mëparshëm një çështje altruizmi, por mjete për të konsoliduar hegjemoninë amerikane. Vetë Joe Biden, pavarësisht nga mospëlqimi i tij i thellë për Trump, ka vazhduar politikën e tij në fusha kyçe, si mbështetja e verbër për Izraelin, marrëveshjet e Abrahamit në Lindjen e Mesme dhe përgatitjen për luftë me Kinën.