Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i pranishëm sot gjatë prezantimit të projektit BE për Drejtësinë Digjitale: ”Mbështetje për Shtetin Ligjor përmes Transformimit Digjital”, theksoi se me çeljen e këtij projekti do të krijohen kushtet e duhura për ofrimin e një sistemi drejtësie të shpejtë, transparent dhe cilësor.

Ministri theksoi më tej se do të lehtësohet puna e sistemit të drejtësisë dhe një komponent i rëndësishëm si llogaridhënia.

“Sot teknologjia dhe digjitalizimi na bashkojnë në mënyrë universale. Me çeljen e këtij projekti, si bashkëfinancim i qeverisë shqiptare, BE-së dhe Suedisë, do të krijojë kushtet e duhura për ofrimin e shërbimit të drejtësisë në mënyrë të shpejtë, transparente dhe cilësore.

Një sistem i integruar i menaxhimit të çdo dosje të regjistruar nga sistemi i drejtësisë, sipas juridiksionit dhe kompetencës ligjore, do të jetë i aksesueshëm nga çdo skaj të Shqipërisë. Ky sistem do lehtësojë punën e sistemit të drejtësisë dhe do t’u mundësojë palëve të interesuar marrjen dhe monitorimin e shërbimeve të drejtësisë, duke realizuar kështu llogaridhënien”, u shpreh Manja.

Ky projekt është krijuar për të rritur zhvillimin e Shqipërisë, duke mbështetur procesin e anëtarësimit të saj në BE dhe duke kontribuar për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ).

Projekti EU4Justice (Përmirësimi i Kapacitetit të Institucioneve të Pavarura të Drejtësisë në Shqipëri) është i përkushtuar në adresimin e sfidave të identifikuara dhe zbatimin e masave të nevojshme për të rritur performancën, kapacitetin dhe transparencën e institucioneve të pavarura të drejtësisë në zbatimin e reformës në drejtësi. Raporti i BE-së rekomandon avancimin e procesit të verifikimit, rritjen e efikasitetit dhe transparencës së gjykatave dhe përmirësimin e kapaciteteve gjyqësore.

Projekti synon të forcojë institucionet e vetëqeverisjes në Shqipëri, duke siguruar pavarësi, llogaridhënie dhe efikasitet në përputhje me standardet e BE-së. Nëpërmjet zbatimit fleksibël, projekti synon rezultate të qëndrueshme, në përputhje me asistencën teknike të BE-së dhe arritjet e mëparshme.