Gjatë takimit, Drejtues Madhor Ilir Proda vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese britanike në shumë aspekte të fushave të policimit dhe falënderoi për mbështetjen që këto agjenci, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Britanike, kanë dhënë për Policinë e Shtetit shqiptar, si në forcimin e kapaciteteve profesionale, ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve logjistike.
Një tregues i qartë i kësaj mbështetjeje është edhe dhurimi i pajsjeve me vlerë rreth 30 000 paund, për Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, të cilat u dorëzuan gjatë takimit të zhvilluar.
Departamenti i Operacioneve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe i dhuroi Departamentit për Kufirin dhe Migracionin të Policisë së Shtetit shqiptar, pajisje me vlerë rreth 30 000 paund, për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar, si në territorin e brendshëm, ashtu dhe në pikat kufitare të Shqipërisë.
Z. Ian Byrne evidentoi rezultatet shumë të mira të arritura në kuadër të Task Forcës së përbashkët kundër Migracionit, si edhe falënderoi Policinë e Shtetit, për operacionet e përbashkëta mjaft të suksesshme të zhvilluara. Gjithashtu, rikonfirmoi vullnetin për vijimin e këtij bashkëpunimi dhe të mbështetjes britanike për Policinë Shqiptare. Në vazhdën e mbështetjes pritet të fillojë puna për ndërtimin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, si edhe pritet të dorëzohen disa dronë për Departamentin për Policinë Kriminale.
Menaxheri Rajonal i Agjencisë kundër Krimit, z. Andrew Clowes, vlerësoi bashkëpunimin mes palëve në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur Policinë shqiptare, për një shkëmbim në kohë reale të informacionit, në interes të garantimit të sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka siguruar dy përfaqësuesit britanikë, për forcimin e këtij bashkëpunimi, dhe ka konfirmuar edhe një herë se Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të punuar me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar dhe migracionin e paligjshëm.