Përdorimi i rrjetit social TikTok mund të jetë në orët e fundit në Shtetet e Bashkuara, pasi Gjykata e Lartë mbështeti unanimisht ligjin federal që e ndalon duke filluar nga e diela, nëse kompania e saj mëmë me seli në Kinë, nuk e shet rrjetin social.

Gjykata tha se se rreziku që i kanoset sigurisë kombëtare nga lidhjet e rrjetit TikTok me Kinën, i kapërcen shqetësimet mbi kufizimin e lirisë së shprehjes për 170 milionë përdoruesit e këtij aplikacioni në Shtetet e Bashkuara.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë ka ngjallur pakënaqësi tek përdoruesit e këtij rrjeti.

Mendoj se është një çmenduri që qeveria jonë të marrë këto masa ekstreme. Mendoj se media sociale, apo TikTok-u është një platformë publike që njerëzit të ndajnë mendimet e tyre”, thotë një përdorues.

Një urdhër ekzekutiv presidencial mund ta ndalojë këtë masë. Administrata e presidentit Biden thotë se i takon administratës së ardhshme të zotit Trump të vendosë mbi këtë çështje, nëse do ta zbatojë apo jo ligjin.

Zoti Trump ka thënë se do ta “shpëtojë” TikTok-un, por është e paqartë se si do ta realizojë një gjë të tillë.

Ekspertët kanë thënë se aplikacioni nuk do të zhduket nga telefonat e përdoruesve ekzistues pasi ligji të hyjë në fuqi më 19 janar, përdoruesit e rinj nuk do të mund ta shkarkojnë atë dhe përditësimet e aplikacionit do të bllokohen. Kjo përfundimisht do ta bëjë aplikacionin jofunksional.