Nga Mero Baze

Nuk di nëse ishte zotësi e Fevziut apo naivitet i politikanëve të rinj të thirrur në studion e tij që, në një nga emisionet më të rëndësishme politike, dominoi ankesa e tyre për mungesë aksesi në televizione. Nuk e vë fare në diskutim që ata nuk janë njësoj të preferuar si politikanët e tjerë të rëndësishëm në ekranet televizive, por kjo nuk besoj se është qëllimi i tyre për t’u futur në politikë. Zakonisht, televizionet ndjekin ata që janë interesantë për ta dhe jo interesat apo qëllimet e atyre që duan të bëhen të famshëm vetëm sepse e kanë vendosur vetë këtë.

Në këtë aspekt, duke qenë realisht në anën e atyre katër të rinjve, ndjehem keq që ata kanë rënë në kurthin e një debati të dëmshëm për ta, ku shqetësimi kryesor që dominoi emisionin ishte ku dalin ata në televizione dhe pse nuk dalin sa duan ata.

Unë personalisht bëj pjesë tek ata gazetarë që i shmangem ekranit. Refuzoj me dhjetëra ftesa për emisione apo debate shterpe dhe bëj atë punë që di të bëj më mirë. Natyrisht, nuk kam hallin e tyre dhe nuk ngjasoj në këtë pikë, por nuk është se e bëj pa qëllim. Dhe qëllimi kryesor është të mos konsumohesh në një mjedis publik ku kakofonia dhe mungesa e sistemit të vlerave të identifikon apo të barazon me njerëz që nuk janë të njëjtë me ty.

Në këtë pikë, me atë paraqitje që ata kanë pasur mbrëmë, disa prej tyre duhet të paguajnë që të mos dalin në ekrane dhe jo të këmbëngulin që të dalin, pasi dalja në ekran nuk është qëllim në vetvete, nëse ti nuk fiton simpati nga opinioni publik.
Gjëja e parë e shëmtuar ishte se secili prej tyre kishte ankesa për televizione të ndryshme. Arlind Qori kishte ankesa për TV Klan, pasi e lidhte me betejat e tij sindikaliste kundër Samir Manes. Agron Shehaj ankohej për A2, se e lidhte me betejën e tij klienteliste kundër Bashkim Ulajt për koncesionin Thumanë-Kashar, madje për këtë dhe desh u rrahën me njëri-tjetrin, pse Qori ka dalë tek A2 e Agroni nuk ka dalë. Për të mos shkuar pastaj tek pretendimi i Lapajt që jo vetëm do të dalë në çdo ekran ku del Edi Rama, por do të dalë dhe bashkë me të. Deliret nuk janë strategji, janë fatkeqësi.

Kjo të krijon idenë se halli më i madh i tyre është se u duket që shqiptarët nuk i njohin, apo nuk i mbështesin, ngaqë ata nuk dalin në televizion. Në fakt, mendoj se problemi i tyre i madh është se dalin në televizion pa pasur ndonjë gjë të qartë çfarë t’u thonë shqiptarëve.

Në Shqipëri nuk ka mungesë të lirisë së shtypit dhe akoma më tepër, pamundësi për të thënë gjërat që do të thuash. Është e vërtetë se ato nuk mund t’i thuash kudo, në çdo ekran apo gazetë, por ka plot ekrane dhe gazeta ku mund t’i thuash. Shtypi në gjithë botën ka politikat e veta editoriale, që nuk janë të njëjta. Problemi është në ato vende ku ndalohet të thuhen mendimet e tua, jo në ato vende si Shqipëria, ku ti je i lirë të thuash çfarë të duash, madje dhe broçkulla, që në fakt të dëmtojnë më shumë se heshtja në shumicën e rasteve.

Dhe këta djemtë e kanë këtë problemin e dytë më shumë se të parin.

Në një vend ku je i lirë të thuash çfarë të duash, por nuk ke fatin të dëgjohesh, problemi nuk është tek ata që të nxjerrin në ekran apo gazetë, apo tek ata që nuk të nxjerrin, por tek fakti që nuk të dëgjojnë dhe nuk të lexojnë çfarë thua. Kjo e dyta ka rëndësi për një politikan. Fakti që ata nuk janë të dëgjueshëm është përgjegjësi e tyre. Sepse përndryshe, nëse ata do thoshin gjëra të mençura, edhe në media dytësore, ata do bëheshin më të kërkuarit në rrjet dhe do diktonin audiencën e televizioneve të mëdha.

Nuk është ndonjë sekret që televizionet janë të lidhura me biznese dhe interesa financiare që natyrisht kufizojnë të drejtën e personave publikë t’i sulmojnë ata. Por për fat kemi 25 televizione dhe 1000 portale, kështu që diversiteti i pronarëve dhe politikave redaksionale shkon nga Enver Hoxha te Hitleri, duke pasur vend për të gjithë.

Ky është një vend që vuan nga liria ekstreme e shtypit, duke krijuar papërgjegjësi publike, dhe jo nga fakti se do të thuash diçka e nuk ke ku ta thuash. Ndaj futja në spiralen e këtij debati i bën ata si njerëz pa qëllime politike, por me prirjen për të qenë “pop star” të medias.

Donald Trumpi ka pasur në dy fushata në SHBA gjithë shtypin e madh kundër, madje gjithë shtypin e botës, dhe i ka fituar betejat me podcastet dhe rrjetet sociale apo shtypin e dorës së dytë. Arsyeja është se populizmi i tij, të cilin nuk ua uroj ta marrin shembull, ka dominuar opinionin public, duke shpërfillur mediat e mëdha.

Të vetmit që i shkon beteja me mediat e “oligarkëve” është Arlind Qori, si një i majtë antisistem, por i shkon që t’i injorojë, jo të ankohet që nuk e përfillin. Politikani bën histori kur i shkon media nga pas duke qenë interesant, jo duke iu shkuar mediave nga pas për t’u promovuar.

Shfaqja e tyre publike është diçka për t’u harruar. Dhe bëjnë mirë ta harrojnë. Nuk ua ka fajin Blendi Fevziu, dhe nëse i ka futur në atë kurth. Nuk e kanë fajin as pronarët e televizioneve të mëdha që janë biznesmenë, se nuk njoh ndonjë biznesmen në botë që të bëjë një media ku të sulmohet ai. Por për fat ka plot media ku ai mund të sulmohet, nëse ka ndonjë problem.

Shqipëria nuk vuan nga liria e medias dhe nuk është duke pritur shpëtim nga kjo plagë. Edhe nëse e ka, nuk presin që ta shpëtojnë politikanët e rinj. Pasi urrejtja me të cilën ata flasin për mediat dhe hakërrimi ndaj tyre i bën ata armiq potencial më të mëdhenj për lirinë e tyre, se këta politikanë që ata mendojnë “se i kanë kapur me mjaltë”. Ndaj është mirë ta harrojnë këtë temë në debatet politike.