Avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj ka komentuar deklaratat e fundit të deputetes Monika Kryemadhi. Sipas saj, ajo dhe Ilir Meta nuk ruajnë raport të mirë pas divorcit, “pasi e nxisin njerëz pranë tij”.
“Mendoj se është pjesë e një humori të shtuar të zonjës Kryemadhi, s’ka asgjë reale në këtë pjesë. Njerëzit rreth tij kush janë? Unë shkoj e takoj, fëmijët e tij, motra.
E para s’e kemi integritetin të ndërhyjmë dhe e dyta Meta nuk pranon këshillime në tema të tilla”, tha avokati në një intervistë në Klan News.
Ndërsa kanë kaluar thuajse 3 muaj që kur ish-Presidenti i vendit Ilir Meta ndodhet në qeli, gjithë kureshtja në opinionin publik qëndron tek ‘jeta e tij në burg’ tashmë. Lidhur me këtë, Gjokutaj tha se Meta është në gjendje shumë të mirë shëndetësore e emocionale, duke theksuar se vijon me ushtrimin e detyrës së tij politike.
“Nuk besoj që ka interes publik se si e konsumon ditën në qeli, sigurisht zoti Meta merret me materiale. Ai është President i Partisë së Lirisë dhe e ushtron detyrën edhe në kushtet e izolimit.