Është shfaqur në Tiranë filmi “The ring” i regjisorit izraelit Adir Miller i cili sjell në ekran historinë e nënës së tij, një e mbijetuar e Holokaustit.
Filmi erdhi kuadër të përkujtimit të Holokaustit ndërsa premiera u shfaq njëherësh në Nju Jork, Tel Aviv dhe Tiranë.
“Jam i lumtur që jam këtu dhe ju tregoj pse. Që fëmijë kam dëgjuar nga gjyshja e nëna historitë e asaj që ndodhi në Budapest gjatë luftës. Kur flisnin për atë kohë, tregonin se gjëja që ju dhembte më shumë në Hungari, ishte se njerëzit, kolegët e fqinjët ju tregonin nazistëve se ku fshiheshin hebrenjtë, në një bodrum apo në një shtëpi. Budapesti i përndoqi hebrenjtë, ndërsa këtu të gjithë i ndihmuan hebrenjtë”, tha regjisori, Adir Miller.
Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, foli për rolin e shembullin e Tiranës.
“Është privilegj që e kemi regjisorin këtu për të shënuar këtë ditë të rëndësishme. Më vjen mirë që e kemi këtë premierë në Tiranë se në Tel Aviv dhe po e vëmë Tiranën në hartë siç duhet të jetë në këtë kontekst për artin dhe historinë unike të Shqipërisë”, tha Peleg.
I xhiruar në Izrael dhe Hungari, The Ring, “Unaza” rikrijon Evropën e viteve 1940, duke ndërthurur me mjeshtëri narrativat personale dhe historike.
Ndërsa, Ministri Blendi Gonxhe, i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga ambasada izraelite në Shqipëri, risolli në vëmendje faktin se Shqipëria është i vetmi vend evropian që strehoi të gjithë hebrenjtë gjatë Holokaustit dhe përfundoi Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa filloi. A.K.