Dhjetëra autobusë dhe furgonë me vizitorë nga Shqipëria kaluan paraditen e së shtunës në pikën kufitare të Morinës, me destinacion Brezovicën dhe Prevallën, dy pikat kryesore të turizmit të bardhë në Kosovë.
Vizitorët kryesisht nga Tirana por dhe qytete të tjerë thanë se pëlqejnë skijimin.
“Jemi grup shoqëror dhe po shkojmë për herë të parë në Brezovicë. Shpresoj të kalojmë mirë, pasi kemi dëgjuar për pistën e skive dhe natyrën e bukur atje”, tha një i ri.
Ndërsa drejtues të agjencive turistike shprehen të pakënaqur me mungesën e menaxhimit dhe mosrespektimin e disa rregullave nga policia kufitare, një kohë që numri i vizitorëve nga Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme.
“Ne këtu në doganë po presim se ka rënë sistemi, s’ka energji por përpos kësaj kemi shumë probleme në Brezovicë sepse policia nuk i lejon atuobusët të afrohen afër pistën dhe i lëmë pasagjerët larg dhe ata duhet të ecin në këmbë”, tha Angjelo Malushi, operator turistik.
Qendra e skive “Brezovica” në malet e Sharrit ofron një kombinim unik të natyrës mahnitëse, pistave të skijimit të përshtatshme për të gjitha moshat, kushte të mira akomodimi në hotele e restorante dhe gatime tradicionale.