Nga Mero Baze/
Gazmend Bardhi duhet të thellohet edhe më tej në autokritikën e tij për gabimin që ka bërë duke pranuar se SPAK është një institucion i pavarur që duhet respektuar. Ky ishte një nga qëndrimet e tij publike kur vendosi të bashkohej “në diversitet” me Sali Berishën.
Por pak nga pak filloi ta modifikojë qëndrimin. Dhe duket se ai ka menduar që mund ta shlyente këtë gabim duke çuar në SPAK një kërkesë për informacion rreth Olsi Ramës dhe përfshirjen e këtij të fundit në historinë e drogës së Xibrakës, 10 vite më parë, sipas akuzave që i ka bërë Sali Berisha.
Me këtë rast, edhe Berishës i bënte qejfin, edhe me SPAK-un kishte mërzitjen e sinqertë se do të merrte përgjigje negative. Por nuk është e thënë të lënë rehat.
Prej dje, të gjitha mediat e Berishës, sidomos ato më të afërta me të, e nisin çdo lajm për Gazmend Bardhin me titullin: “Ai që besonte tek SPAK-u”, dhe pastaj vazhdojnë çfarë thotë ai apo si reagon.
Domethënë, në opinionin publik tani Gazmend Bardhi është i damkosur si njeriu që ka besuar disa muaj tek SPAK-u, si ata ish-ushtarët e Ballit që u kthyen me Partinë muajt e fundit të luftës dhe u kujtohej për pesëdhjetë vjet që kishin qenë ca muaj të gënjyer me Ballin.
Ky hall e ka gjetur dhe Gazmend Bardhin, ndaj po i kërkohet të “thellohet” në autokritikë dhe të japë prova të tjera që do ta shlyejnë atë gabim.
Dhe Berisha po ja tregon rrugën. Çdo ditë del në konferencë shtypi, duke tërhequr gjithë opozitën në spiralen e gjuhës së shpifur, të fyerjeve, sharjeve dhe sulmeve personale, duke parë se kush do të japë prova nga këta të dyshimtët për ta mbështetur. Sot, për shembull, shpiku Zaho Kokën, që do bëjë një padi të re në SPAK për Olsin, për ta mbajtur ende në lojë Gazmend Bardhin që të japë prova se është gati të bëjë çfarë i thotë ai në këtë pikë. Në të njëjtën kohë, nxorri Adriana Kalanë, që ka zbuluar se Enkelejdi dhe bashkëjetuesja e tij kanë fjetur një natë gushti në Dhërmi, në një hotel, dhe në një dhomë. Dhe natyrisht, për këtë do t’i kërkohet po ashtu Gazmend Bardhit të mbajë qëndrim, pasi dyshohet se ata mund të kenë bërë dhe seks në dhomë bashkë.
Kjo përdhosje që Berisha po u bën deputetëve të PD-së, duke zhytur gjithë opozitën në baltën e tij për t’i bërë të gjithë pis që të ngjajnë si ai, është një nga ato hakmarrjet perverse të Sali Berishës ndaj të gjithë atyre që nuk e pranojnë dot estetikisht këtë frymë në opozitë. Dhe tani, pa u bërë të gjithë si ai, pa dhënë prova se janë gati t’i hyjnë edhe hijeve të ngushta poshtë çarçafit kur ua kërkon Berisha, apo pa këmbëngulur ta çojnë perversitetin e sulmeve familjare deri tek gratë dhe fëmijët e kundërshtarit, ai nuk ka besim se ata mund t’i qëndrojnë besnik.
Ai beson se besnikët e vetëm të tij janë njerëzit që ai i poshtëron duke i përdorur si skllevër deri në fund, me shpresë që më pas të mos kenë ku të shkojnë. Dhe Gazmend Bardhi më duket se është duke kërkuar të thellohet në “autokritikën” për SPAK dhe të japë prova se për partinë shet dhe shokët. Vetëm ashtu ai bëhet i dobishëm.