Nga Ilir Metaj*
Në janar 2015 u shua një artist i rrallë, por jo drita e tij. Sot, 10 vite më vonë, këngët e tij dhe ato të “Djemve të Detit” vazhdojnë të godasin si dallgët e një deti të trazuar, duke na kujtuar çfarë do të thotë të jesh artist i vërtetë.
Këto kohë, kur tregu po mbyt çdo ndjesi dhe arti është kthyer në një copë etiketë, “Djemtë e Detit” mbeten një britmë rebele për ata që kanë guxim të ëndërrojnë, të ndjejnë, të krijojnë.
Muzika sot, në shumicë zhurmon tinguj plastikë, por aspak frymëzim, aspak shpirt. Këngët nuk janë më poezi – janë shabllone algoritmesh mediokriteti. Tekstet, nuk ngjallin mendim – janë stërvitje për memorizim boshllëku.
Dhe ky është problemi i shumicës së “artistëve”të kësaj kohe: nuk krijojnë më art, krijojnë receta limonatash për konsum të shpejtë.
Gent Demaliaj sigurisht do e kishte “hedhur në erë” këtë mediokritet. Ai ishte gjithçka që muzika sot ka humbur: poet shpirti rebel, muzikant i vërtetë, artist që nuk bënte kompromis.
Arti për të dhe për të tjerë të brezit të tij, nuk ishte trendi i momentit – ishte betejë për të mbajtur gjallë shpirtin e kohës.
Dhe Genti e fitoi këtë betejë. Ata e fituan.
Të dashur artistë të brezit të ri, mos krijoni për para, do të harroheni shumë më shpejt sesa mbushni xhepat. Mos krijoni tinguj- krijoni trashëgimi!
Si Gent Demaliaj!
*Deputet i PS