Kryepeshkopi Anastas ndodhet sërish në gjendje kritike shëndetësore në spital në Athinë, ndërsa në Tiranë të gjithë besimtarët, pavarësisht feve, janë bashkuar në lutje për shërimin e tij.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, ku bëjnë pjesë krerët e komuniteteve, thonë se po ndjekin me shqetësim situatën, teksa thekosjnë se po luten që Zoti t’i dhurojë atij edhe më shumë vite të tjera shërbimi të bekuar, plot paqe dhe forcë shpirtërore.
Mesazhi i plotë
Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, po ndjek me vëmendje dhe shqetësim ecurinë shëndetësore të Kryepeshkopit Anastas, i cili prej disa ditësh po përballet me një gjendje të rënduar të shëndetit të tij.
Ne, anëtarët e Bordit të Presidencës, Kryetari i KNFSH-së Mons. Gjergj Meta, anëtarët e Bordit të Presidencës, H. Bujar Spahiu (Kryetar i KNFSH-së 2023), H. Dede Edmond Brahimaj (Kryetar i KNFSH-së 2021) dhe Pastor Ergest Biti, me nderim dhe lutje të thella, i drejtohemi Zotit për shërimin e shpejtë të Kryepiskopit Anastas, bashkëthemelues i KNFSH-së në vitin 2007, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në vitet 2018-2019 dhe 2024 dhe aktualisht anëtar i Bordit të Presidencës.
Ne lutemi me besim dhe përulësi, që Zoti t’i dhurojë atij shëndet të plotë dhe forcë për të vazhduar misionin e tij për paqen, harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Kontributi dhe inspirimi i tij për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërfetar janë një mësim dhe udhërrëfyes për të gjithë ne.
O Zot, ne të lutemi që ta mbështesësh me çdo bekim dhe t’i dhurosh atij shumë vite të tjera shërbimi të bekuar, plot paqe dhe forcë shpirtërore, duke udhëhequr kështu një shembull të paqes dhe unitetit në shoqërinë tonë. Amin!
Kryepiskopi Anastas fillimisht u shtrua më datën 30 dhjetor 2024 në një spital privat në Tiranë, për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar, ku u shtrua në spitalin Ungjillëzimi.