Në GJKKO ka nisur seanca për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në dy raste dhe mosdeklarim të pasurisë. I pranishëm në sallë është vetë Jorgo Goro, i cili u shpreh se i qëndron kërkesës së bërë në seancë paraprake për gjykim të shkurtuar. Gjyqtari i themelit Ardit Mustafaj pranoi kërkesën e ish- kryebashkiakut për procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Prokurori i çështjes Ols Dado tha se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode si dhe mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë nga ana e Goros.
Referuar dosjes së SPAK, i pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë shpërdoruar detyrën dy herë, lidhur me tjetërsimin e pronave, sikundër ka fshehur pasuritë e tij. Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi. Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall.
Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli. Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Aktualisht, Goro dhe Bashi janë në “arrest me burg”; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim.