Prej orës 17:00 të së dielës policia greke nuk lejon kalimin e autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës drejt vendit fqinj. E gjithë kjo situatë sipas helenëve ka ardhur për shkak të kushteve shumë të vështira atmosferike dhe punës që po bëhet për normalizimin e situatës në akset e vendit fqinj që janë prekur prej reshjeve të borës.

Në këto rrethana drejtues të mjeteve të tonazhit të rëndë për orë të tëra janë në pritje për të kaluar drejt vendit fqinj, ndërkohë që nga dita e sotme shumë autobusë presin në radhë me shpresë për të vijuar udhëtimin. Nga policia greke janë lejuar të kalojnë drejt vendit të tyre vetëm veturat edhe ato të pajisura me zinxhirë. Nga ana e autoriteteve tona të kufirit thuhet vetëm se janë në pritje të një vendimi të palës greke për normalizimin e situatës.