Në Bashkinë Mat u përurua Qendra Rinore Multifunksionale, një hapësirë moderne që do t’i shërbejë mbi 3200 të rinjve të Burrelit. Ky projekt është mbështetur nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë, dhe është realizuar nga Bashkia Mat.

Qendra do të ofrojë mundësi për trajnime, ndarjen e ideve mbi sipërmarrjen inovative dhe angazhimin aktiv në komunitet. Në ceremoninë e përurimit, Ministrja Bora Muzhaqi e cilësoi këtë investim si një hap të rëndësishëm për të rinjtë e Matit.

“Punët e mira nuk bëhen shpejt, por bëhen me vizion të qartë dhe objektiva të vendosura për t’i realizuar. Besoj fort se të rinjtë e Burrelit janë të talentuar dhe meritojnë çdo mbështetje për t’u zhvilluar dhe për t’u dalluar në çdo fushë, qoftë në art, kulturë, sport apo arsim,” u shpreh Muzhaqi gjatë fjalës së saj.

Qendra Rinore Multifunksionale në Mat synon të bëhet një pikë referimi për të rinjtë, duke krijuar një mjedis frymëzues për edukimin, kreativitetin dhe bashkëpunimin. Ajo do të shërbejë si një hapësirë ku të rinjtë mund të bashkohen, të ndajnë ide dhe të luajnë një rol aktiv në vendimmarrjet e komunitetit të tyre.