Inter-Empoli është një sfidë e rëndësishme për dy klubet, por është gjithashtu, një sfidë shumë e rëndësishme dhe për dy legjionarët kuqezi, Asllani dhe Ismajli. Për mesfushorin ky është një tjetër test i rëndësishëm për të kuptuar peshën e tij brenda Inter. Asllani vjen në këtë takim pasi një paraqitje jo pozitive përballë Bologna-s, por emri i tij mbetet fiks në tregun e transferimeve, pasi për të interesohen disa ekipe në Serie A, ndërsa Inter e sheh si mjet shkëmbimi për të arritur tek objektivat e tyre në këtë merkato dimri.
Në “San Siro”, i vëzhguar special pritet të jetë edhe Ardian Ismajli, kjo pasi qendërmbrojtësi kuqezi është futur në vitin që i skadon kontrata dhe është një objektiv me kosto të ulët. Ismajli është një lojtar i provuar në Serie A, po zhvillon sezonin e tij më të mirë në Itali, për këtë arsye është kthyer në një opsion edhe për Inter.
Zikaltërit duhet të bëjnë llogari pa shërbimet e Acerbit për një kohë të gjatë dhe sipas mediave italiane, Marota mund të futet në garë për të siguruar shërbimet e Ismajlit. Prej kohësh flitet për një kalim të tij te radhët e Napolit, por Empoli po bën rezistencë, pasi nuk dëshirojnë të heqin dorë nga shërbimet e liderit të tyre në prapavijë.