TIRANË- Kasandra Cani dhe Xhemile Vërlaku ishin shoqe, por u përplasën me thika me njëra-tjetrën. Sherri mes tyre nisi për arsye banale, për shkak të disa djemve që frekuentoheshin me të dyja vajzat në të njëjtën kohë. Mesa duket pasi kanë marrë vesh këtë “detaj”, vajzat janë ofenduar në rrjete sociale. Më pas, ishin takuar së bashku në autostradë, shumë pranë Vorës, ku sërish ishin konfliktuar. Por kësaj here edhe fizikisht.
Sipas asaj që bëri me dije dje Policia, përplasja ka ndodhur në orën 02.34 të mëngjesit, e fill pas sherrit dy motrat Vërlaku kishin shkuar në Komisariatin numër 2 për të bërë kallëzimin. Në rrëfimin e parë, pa bërë kallëzim, që i bënë oficerit të Policisë treguan se kishin pasur një konflikt me disa vajza të tjera. Por nuk kishin bërë me dije as detaje që të zbulonin emrat dhe as sa persona ishin të përfshirë në përplasjen e ndodhur në Vorë. Ndërsa iu kërkua që të prisnin oficerin e Policisë për të marrë dëshminë, dy motrat u larguan nga Komisariati.
Paralelisht, Kasandra Cani duket se vazhdonte normalisht rutinën e saj.
Mesa duket sherri ka vijuar pasi dy motrat i kanë shkuar Canit në banesën ku kjo e fundit jetonte në rrugën e Kavajës. Duke marrë parasysh edhe akuzat që janë ngritur për vajzat, mesa duket ka qenë Xhemile Vërlaku ajo që ka shkuar në banesën e Canit dhe ka nisur që ta dhunojë, ndërsa kjo e fundit, ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar. Nga sherri, e dëmtuar ka mbetur edhe motra e Xhemiles, Esma Verlaku, e cila ka hyrë për të ndarë vajzat.
Tashmë, Xhemile Vërlaku është në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Cani është arrestuar. Policia ka marrë në pyetje të rejat, edhe për shumë orë u është dashur që të presin, pasi si Cani, edhe Vërlaku kanë qenë në gjendje të dehur.