Presidenti Joe Biden parashtroi parimet e tij lidhur me politikën e jashtme, në një fjalim gjithëpërfshirës, vetëm një javë përpara se të largohet nga detyra. Ai renditi argumentet se përse duhet vazhduar me të njëjtën qasje, vetëm disa ditë përpara rikthmit në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili është zotuar se do ta ndryshojë drejtimin e politikës së jashtme. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Anita Powell sjell më shumë hollësi mbi fjalimin që Presidentit Biden mbajti të hënën para diplomatëve amerikanë, në Departamentin e Shtetit.

Presidenti Joe Biden e përmblodhi politikën e jashtme në 4 vitet e administrates së tij, duke deklaruar se:

Aktualisht, në gjykimin tim, falë administratës sonë, Shtetet e Bashkuara po fitojnë konkurrencën botërore. Krahasuar me katër vjet më parë, Amerika është më e fortë, aleancat tona janë më të forta, kundërshtarët dhe konkurrentët tanë janë më të dobët. Dhe ne nuk kemi shkuar në luftë për t’i bërë të gjitha këto të mundura”, tha zoti Biden.

Presidenti u ndal veçanërisht tek mbështjetja e fuqishme në institucionet dhe normat shumëkombëshe të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai përmendi si shembull zgjerimin e NATO-s, duke deklaruar se blloku transatlantik i sigurisë pengoi planin e presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën fqinje.

“Kur Putini sulmoi Ukrainën, ai mendoi se mund ta pushtonte Kievin brenda pak ditësh. E vërteta është se që kur filloi lufta, unë jam i vetmi që qëndrova në qendër të Kievit, jo ai. Putin nuk arriti kurrë”, tha zoti Biden.

Presidenti Biden tha se vendet autoritare si Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia, po lidhen me njëri-tjetrin, më shumë për shkak të “dobësisë se sa forcës”.

Sa i përket konfliktit të rëndë që filloi në Izrael dhe që ka përfshirë rajonin, ai tha se administrata e tij po punonte për t’i dhënë fund luftës, që shpërtheu më shumë se një vit më parë.

Ai vuri veçanërisht në dukje punën e tij në realizimin e shkëmbimit më të madh të të burgosurve në historinë moderne, vitin e kaluar.