Pseudonimin e ka “Zonja e Vjetër”, por ky është një term që për Juventusin e Tiago Motës mund edhe mos përdoret. Më shumë se sa i vjetër, ky Juventus është i ri.

Ardhja e Tiago Motës sigurisht që ka sjellë shumë ndryshime në krahasim me trajnerët e mëparshëm.

Projekti i ri i Juventusit ka përfshirë disa lojtarë të rinj si nga merkato ashtu edhe nga grupi Next Gen (Mbangula, Savona), si dhe Kalulu e Konseisao që janë disa nga emrat që kanë kontribuar për ta bërë Zonjën ekipin e dytë më të ri në Serinë A.

Ekipi bardhezi, në fakt, regjistron një moshë mesatare në fushë prej 24.3 vjetësh, e cila tregon se si kursi i ri është projektuar gjithnjë e më shumë drejt së ardhmes.

Por nëse në Itali është skuadra e dytë me moshën mesatare më të ulët, në Europë, Juventusi i Tiago Motës futet në 10 skuadrat më të reja në Europë.

“Zonja” mban pikërisht vendin e 10-të. Por kush i mban vendet e tjera?

Në krye të renditjes është Salsburgu me një moshë mesatare prej 21.3-vjeçësh, një diferencë e frikshme në raport me skuadrat e tjera.

PSG-ja renditet e dyta, ndërsa në podium qëndron edhe Çelsi. Në vendin e katërt është Parma, skuadra tjetër italiane në këtë listë që ndiqet nga Monako, Barcelona, Eintraht Frankfurt, Valencia e Shtutgarti, për t’u mbyllur më pas me Juventusin që konfrimon edhe njëherë se ka një projekt ku i beson të rinjve.