Që nga njoftimi për uljen e pezullimit për doping, Paul Pogba ka përgatitur rikthimin e tij në futbollin profesionist, i mundshëm nga muaji mars.

Mesfushori përgatitet individualisht dhe pas një prej seancave të tij të hënën, ai u shfaq për 15 minuta me një buzëqeshje të madhe në një video-telefonatë në transmetimin e drejtpërdrejtë të Twitch të Amine.

Ky i fundit e pyeti ish-lojtarin e Juves, i lirë nga çdo kontratë që nga fillimi i dhjetorit, për drejtimet e tij të mundshme. “Ka propozime,- tha ai. – Ka disa gjëra interesante, disa aspak interesante. Të shkosh për të luajtur në Rusi nuk është objektivi im. Të luash për një ekip që konkurron në Champions League?

Pse jo, ne gjithmonë i duam klubet më të mira, por kjo nuk varet vetëm nga unë”. I rilançuar nga Amine, ai konfirmoi se po i afrohet një rikthimi. “Ka diskutime. Nuk është finalizuar. Nuk mund të them më shumë”, tha ai kur u pyet për identitetin e klubeve.

Kampioni i botës 2018 nuk e ka përjashtuar as rikthimin te kombëtarja franceze. Dhe aq më tepër, nëse do të shoqërohej nga një nga miqtë e tij të mëdhenj: “Më mungon edhe kombëtarja franceze. Nëse kthehem te kombëtarja, do t’i bëj një telefonatë (Antoine Griezmann), direkt!”

Rruga do të jetë e gjatë dhe Pogba (31) pohon se është i vetëdijshëm për këtë dhe po përgatitet në përputhje me rrethanat. Ai siguron gjithashtu se pushimi i gjatë i detyruar e lejoi të rimbushte bateritë mendërisht. “Kur nuk je mirë mendërisht, nuk je mirë as fizikisht”, shtoi Pogba, që luajti vetëm 6 ndeshje kampionati gjatë sezonit të kthimit të tij në Juve, në 2022-2023.