Drejtuesi Politik i PD për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ishte pjesëmarrës në mbrëmjen festive ‘Liberty Ball’, të organizuar nga Shtëpia e Bardhë pas ceremonisë së inagurimit të Presidentit të 47-të të Amerikës, Donald Trump.
Përmes një lidhje skype, direkt nga SHBA për emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ Këlliçi u shpreh se Trump mund të jetë politikani më i hetuar, jo vetëm në politikën amerikane, por në atë botërore, i masakruar nga media e majtë amerikane, goditur në mënyrë permanente në të gjitha mekanizmat nga fondacioni i Sorros dhe tashmë po bën realitet gjithçka ka premtuar në fushatën elektrorale.
“Mund të jetë një nga të paktat raste, në mos rast unikal që një president i zgjedhur mezi pret të nisë detyrën për të bërë realitet premtimet elektorale, duke nisur që nga përcaktimi i dy gjinive mashkull dhe femër, që në fakt është një politikë botërore, tërheqja nga OBSH për shkak të polemikave, përplasjes që ka pasur edhe gjatë periudhës së pandemisë, tërheqja për herë të dytë nga ‘Marrëveshja e Parisit’ për ndryshime klimatike e shumë të tjera.”- u shpreh Këlliçi.