Samiti i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet në maj 2025 në Tiranë, ndërsa samiti i NATO-s pritet të mbahet në 2027 po në Tiranë, shkruan faqja maqedonase novatv.mk.
Sipas shumë operatorëve Shqipëria po ecën me ritme të pandalshme.
Vetëm këtë vit aeroporti i Tiranës këtë vit arriti të priste 10 milionë pasagjerë.
Ky pasqyrim nuk është një lëvdatë për Shqipërinë, por vetëm një përfaqësim që çdo shtet punon për veten e vet duke prezantuar veten dhe tërhequr miq, politikanë dhe biznese ndërkombëtare.
Por, secili shtet për sa i përket aspiratave evropiane ka problemet e veta: dikush ka kushte si Maqedonia e Veriut që nuk dëshiron t’i respektojë: dikush është kushtëzuar nga koncesionet në kufirin detar (siç bëri Greqia me Shqipërinë): Kroacia i kërkon Malit të Zi të respektojë shtetasit kroatë që mbaheshin si robër lufte në fillim të viteve 1990 e tjerë.
Maqedonia e Veriut është në konflikt me fqinjët (ai me Bullgarinë është më i ndërlikuari), por më e rëndësishme duket se jemi në konflikt me veten tonë.
”MV tashmë duhet ta ketë zili Shqipërinë, jo vetëm në rrugën e saj drejt BE-së, por edhe në rrjetet ndërkombëtare, ndërkohë që ne po kërkojmë një rrugëdalje nga ngërçi në të cilin kemi ngecur në integrimin evropian”, theksojnë burime nga Maqedonia e Veriut.
Ka më shumë përgjigje pozitive sesa negative.
Është e habitshme se si vendi i vetmuar dhe i mbyllur ballkanik dikur (pothuajse i harruar nga të gjithë), shndërrohet në një destinacion mjaft tërheqës për turistët, biznesmenët, politikanët dhe ushtritë.
Nëse duam t’i shohim realisht ngjarjet, duhet të distancohemi nga njohuritë tona, e bashkë me të edhe nga paragjykimet, për shembjen e piramidave në vitin 1997 në Shqipëri, për trazirat në Vlorë dhe qytete të tjera.
Më 30 dhjetor, kryeministri Rama njoftoi se Tirana do të jetë pritëse e samitit të NATO-s 2027.
Samiti i NATO-s, ku duhet të mbërrijnë shtetarët më të fuqishëm, përfaqëson një sfidë të pabesueshme për çdo vend, nga pikëpamja organizative, e sigurisë, e transportit dhe e pritjes.
Dhe mbi të gjitha një samit në të cilin do të duhet të vijë presidenti i ri amerikan, Donald Trump.
“Para disa vitesh ishte e pamendueshme që Tirana të priste samitin e NATO-s në 2027. Por, kjo është arsyeja pse ne filluam bashkëpunimin me NATO-n. Misioni për të verifikuar kushtet e infrastrukturës dhe logjistikës erdhi në Tiranë dhe bëri vlerësime që do të kishin qenë të pamundura përpara se qeveria së bashku me autoritetet bashkiake të Tiranës të ndërtonin shumë gjëra në dekadën e fundit. Ardhja e presidentit amerikan dhe të gjithë liderëve të NATO-s është njëkohësisht një mesazh i qartë se të gjithë janë të lidhur me Shqipërinë. Ne jemi një vend i vogël, por sot trajtohemi si të barabartë dhe me një respekt që nuk e kemi pasur në historinë tonë”, thekson kryeministri Rama.
Vitin e kaluar, NATO përfundoi modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të shërbejë si një qendër kryesore ajrore për aleancën. NATO investoi 50 milionë euro në rinovimin e kullës së kontrollit, pistat, hangarët dhe magazinat.
Shtatorin e kaluar, ministri shqiptar i Mbrojtjes deklaroi se qeveria kishte miratuar 54 milionë euro për ndërtimin e një baze detare të NATO-s në zonën e Porto Romanos në veriperëndim të Durrësit, nga një investim total prej 390 milionë eurosh të planifikuar për ndërtimin e një kompleks i ri portual.
Shqipëria është një vend i vogël: ka 2,4 milionë banorë dhe është pak më i madh se MV. Nuk do të jetë hera e parë që Shqipëria organizon një tubim të madh ndërkombëtar. Aty u mbajt edhe samiti i Procesit të Berlinit në tetor 2023.
Si një përgatitje e rëndësishme për Samitin e NATO-s në maj të këtij viti, në Tiranë do të mbahet edhe Samiti i Komunitetit Politik Evropian. Ky do të jetë takimi i gjashtë radhazi i nismës së nisur nga presidenti francez Emmanuel Macron, ku të gjitha vendet e BE-së, kandidatët për anëtarësim (ata që janë duke negociuar dhe ata që nuk kanë negociuar ende), por edhe vendet që kanë marrëdhënie të ndryshme me Bashkimin Evropian si Britania e Madhe dhe Zvicra.
Është një sfidë e pabesueshme nga pikëpamja logjistike dhe e sigurisë. Samiti i fundit i Komunitetit Politik Evropian u mbajt vitin e kaluar në nëntor në Budapest në stadiumin e madh “Arena Puskas”, pikërisht për shkak të sfidave të mëdha politike, të sigurisë dhe logjistikës.
Vitin e kaluar, në mars, në Tiranë u mbajt një samit i Evropës Juglindore plus Ukrainën dhe presidenti Volodymyr Zelenski vajti në kryeqytetin shqiptar.
Në dhjetor 2022, u mbajt në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pari i këtij lloji në rajon, i cili i dha shkas deklaratës së famshme të Tiranës për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Ka shumë tubime të tjera të këtij lloji që mbahen në Tiranë, por të tjera nuk i rendisim.
Tirana është tashmë një vend i njohur në hartën politike në Evropë.
Që kur Shqipëria u shkëput nga Maqedonia në rrugën e saj drejt BE-së, ajo tashmë ka hapur dy kapituj, një në tetor dhe tjetrin në dhjetor.
“Marshi ynë vazhdon. Ne jemi këtu për të bërë një hap të rëndësishëm dhe për të hapur një kapitull të ri të rugëtimit, i rëndësishëm për planin tonë. Kjo sepse gjërat po shkojnë sipas planit. Ne duhet të ecim përpara”, theksoi kryeministri Rama.
Falë pozicionit të saj të jashtëzakonshëm, në portën e Otrantos, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon, Shqipëria ka qenë një magnet për investime në dhjetë vitet e fundit, më të larta se ato të Maqedonisë.
Sipas të dhënave nga organi tregtar i Kombeve të Bashkuara, UNCTAD, nga viti 2018 deri në vitin 2022, në Shqipëri kanë ndodhur investime të huaja direkte mesatare vjetore prej 1,27 miliardë dollarësh.
Sipas Departamentit të Shtetit, në vitin 2023 investimet e huaja direkte do të arrijnë në 1.6 miliardë dollarë dhe shifra totale e tyre do të jetë 14 miliardë dollarë.
Ndryshe nga sa mendon qytetari mesatar maqedonas, pra se italianët janë investitorët kryesorë në Shqipëri, faktet tregojnë të kundërtën.
Në Shqipëri Zvicra, Holanda dhe Kanadaja janë burimet më të mëdha të investimeve të huaja direkte, të ndjekura nga Italia, Turqia dhe Austria.
Investimet janë të përqendruara në sektorin e pasurive të paluajtshme, në industrinë nxjerrëse, në sektorin bankar, të sigurimeve dhe të energjisë.
Ekonomia e Shqipërisë është rritur me shpejtësi vitet e fundit.
Të dhënat zyrtare të Bankës Botërore tregojnë se në vitin 2023 PBB-ja e Shqipërisë ishte 22,98 miliardë dollarë dhe për vitin 2024 parashikimi është 26,18 miliardë dollarë.
GDP për frymë në vitin 2023 ishte 8,367 dollarë, në 2024 do të jetë 10,586.
Tirana – qendra aeronautike e Ballkanit
Aeroporti “Nënë Tereza” i Tiranës është një nga qendrat ajrore më të ngarkuara dhe me rritjen më të shpejtë në rajon. Dhe nga vendet që janë dhe nuk janë pjesë e BE-së. Dhe sidomos kur krahasohet me madhësinë e vetë qytetit të Tiranës.
Sipas të dhënave të organizatave dhe mediave që monitorojnë trafikun ajror, rreth 10 milionë pasagjerë janë transportuar përmes aeroportit të Tiranës në vitin 2024. Më shumë se aeroportet e Beogradit dhe Sofjes. Dhe të mos flasim për Shkupin.
Sipas të dhënave të website-it të specializuar VoliFrom, përmes aeroportit të Tiranës shërbehen 84 destinacione me 31 linja ajrore. Për shembull, ka shtatë linja ajrore për në Britaninë e Madhe dhe 17 për në Itali.
Vitet e fundit, aeroporti i Tiranës është përdorur gjerësisht nga qytetarët maqedonas për të udhëtuar nëpër botë apo për pushime, veçanërisht nga ata që jetojnë në pjesën jugperëndimore të vendit.
Sigurisht që deti i Shqipërisë është magneti kryesor për turistët e huaj. Në vitin 2024, 13 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë dhe rreth 800 000 vizituan MV. Ata qytetarë maqedonas që pesë vite më parë ishin në bregdetin shqiptar në Sarandë apo Vlorë dhe që u kthyen verën e kaluar nuk do të njohin shumë gjëra për shkak të projekteve të mëdha të investimeve.
Një javë përpara se të njoftonte se samiti i NATO-s 2027 do të mbahet në Tiranë, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi një tjetër lajm befasues për promovimin e jashtëzakonshëm të vendit të tij.
Gara e madhe e çiklizmit ”Giro d’Italia 2025” do të ketë fazën hapëse në Shqipëri. Jo vetëm starti, por edhe tre etapat e para do të jenë në Shqipëri.
”Giro d’Italia” së bashku me ”Tour de France” janë dy garat legjendare të çiklizmit që demonstrojnë rezistencën, njohuritë dhe profesionalizmin spektakolar të atletëve.
Këto gara kanë kapacitetin të bëjnë shumë më tepër për promovimin ndërkombëtar të vendit sesa të gjitha broshurat dhe deklaratat propagandistike turistike dhe politike.
Për shkak të mënyrës së transmetimit të garave (përfshirë pamjet nga helikopterët) është një mundësi për të paraqitur bukurinë e vendit në një mënyrë dhe në një kohë që nuk është e mundur në raste të tjera.
Duhet shtuar se ”Giro d’Italia”, me traditën e saj 114-vjeçare, është e aksesueshme për 800 milionë shikues në mbarë botën përmes 200 stacioneve televizive që transmetojnë drejtpërdrejt garën.
Kjo do të thotë se shumë mund të dëgjojnë për herë të parë për Shqipërinë, të mësojnë diçka për të dhe të inkurajohen të vizitojnë vendin.
Etapa e parë do të nisë më 9 maj në qytetin port të Durrësit dhe do të përfundojë në Tiranë në një itinerar kodrinor. Tirana do të presë një provë individuale kohore prej 13.7 km për fazën 2, më pas faza 3 më 11 maj do të jetë një tjetër etapë kodrinore 160 km, që fillon dhe përfundon në qytetin bregdetar të Vlorës, i cili ndodhet direkt nga ana tjetër e Adriatikut, përballë rajonit italian të Pulias ku gara do të rifillojë më 13 maj pas një dite pushimi.
Njoftimi erdhi pasi programi i kryeministres italiane, Giorgia Meloni për të kontrolluar azilkërkuesit jashtë kufijve të Bashkimit Evropian në një kamp të veçantë në Shqipëri përballet me sfida ligjore.
Megjithatë, në maj, mijëra njerëz nga MV dhe rajoni do të dynden në rrugët kodrinore rreth Vlorës dhe rrugëve të Tiranës për të parë çiklistët më të mirë të planetit në garën tepër sfiduese trejavore./ /os/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.