Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte sot laboratorin e ri inteligjent të shkollës “Konferenca e Pezës”, një prej 68 shkollave të Tiranës të pajisura me laboratorë Smart. Ky laborator ka 19 laptopë modernë që janë në shërbim të 543 nxënësve dhe mësuesve, duke mbështetur zhvillimin e lëndëve si TIK, matematika dhe të tjera.

Gjatë një ore mësimi në një nga klasat e ciklit fillor, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij investimi në fuqizimin e aftësive digjitale të nxënësve dhe mësuesve.
“Janë më shumë se 35 mijë fëmijët e klasave të para, të dyta, të treta që tashmë kanë zhvilluar aftësi digjitale dhe janë duke marrë edhe më shumë aftësi përmes këtij programi të veçantë që qeveria shqiptare ka financuar. Ne presim që në dy vitet e ardhshme edhe 615 shkolla të jenë pjesë e këtij programi të madh të aftësive digjitale dhe gjithashtu të investimit për laboratorët inteligjentë në të gjitha shkollat.”, tha Manastirliu.

Ajo shtoi se këto laboratorë janë një platformë për të ndërthurur teknologjinë me lëndët e tjera, duke përfshirë gjuhët, shkencat dhe matematikën ndaj dhe një nga pikat kyçe të trajnimit të mësuesve nga Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional është jo vetëm përdorimi i këtyre platformave por dhe pajisja e tyre me njohuri digjitale.
“Nxënësit janë duke mësuar në këto laboratorë dhe mësuesit janë trajnuar përmes Programit Kombëtar të Trajnimit për Zhvillimin Profesional, i cili ka bërë të mundur që mësuesit e TIK dhe ata të lëndëve të tjera të përdorin teknologjinë për të nxitur interaktivitetin, zhvillimin e aftësive digjitale, kreative dhe mendimin kritik tek nxënësit,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ky investim është pjesë e një strategjie më të gjerë të Qeverisë Shqiptare për të rritur qasjen ndaj teknologjisë dhe përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e së ardhmes. Laboratorët inteligjentë synojnë të krijojnë një mjedis mësimor interaktiv dhe inovativ, duke përmirësuar cilësinë e arsimit dhe duke integruar teknologjinë në procesin e të nxënit.