Nga Dashnor Kaloçi

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE DASHAMIR VERO RABAJ, OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË ISH – KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA

(I PYETJES SË DËSHMITARIT)

Sot më datën 28.5.1983, në Tiranë.

Ne, hetuesit e M. P .B., Sokol Koleka e Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar në hetuesi.

Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare.

Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K.P., për dëshmi të rreme.

FIRMA E DËSHMITARIT

Dashamir Rabaj

Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:

Unë në vitin 1978, kam filluar punë si oficer në grupin e shoqërimit të armikut Mehmet Shehu, duke u propozuar nga shefi im, Orjon Trebicka, shefit të grupit, Ali Çeno, që të më merrte aty, se kishte një vend bosh. Gjatë kohës që kam punuar aty, kam vënë re, se Mehmet dhe Fiqret Shehu dhe fëmijët e nuset e tyre, bënin një jetë borgjeze, e të ç’thurrur, e na përdornin ne oficerëve dhe punonjësit e shërbimit, tamam si shërbëtorë, duke na sharë, bërtitur, fyer, etj.

Mbasi bëra ca kohë shërbim, Aliu dhe Jonuz Luto, më thanë që unë do të merresha me filmat dhe fotografitë e Mehmet Shehut dhe familjarëve të tij, ndërsa shefi im për këtë gjë, do të ishte Jonuz Luto, i cili do të mbante fototekën e tij. Kështu që unë vetëm, sa nxirrja filmat dhe fotografitë se pastaj me to merresh Jonuz Luto…………………………………………..!

Kohët e fundit, Bashkim dhe Marjeta Shehu, u afruan me mua, se unë u fejova me një shoqe shkolle të Marjetës, por pa ndërhyrjen e saj. Në qershor 1981, kur Bashkim Shehu ikën në Itali së bashku me Pirro Mishën dhe Shpëtim Çuçkën, gjoja për të ndjekur disa seminare në Peruxhia etj., më morën dhe mua me vete, si oficer për të ruajtur Bashkim Shehun.

Një ditë para se të niseshim, Ali Çeno më thotë se të kërkon Mehmet Shehu, se do të japi porositë për andej. Vajta tek zyra e Mehmet Shehut në shtëpinë e tij, tek vila Nr. 6, ku erdhi edhe Ali Çeno, ishte edhe Fiqret Shehu. Ndërmjet të tjerash, Mehmet Shehu më tha: “Do të bësh kujdes kur Bashkimi hipën në makinë dhe kur zbret që andej. Këtë kujdes do ta kesh, jo nga italiani, por nga jugosllavi, sepse e rrëmbejnë dhe nesër më thonë mua; na nxirr nga burgu Gjin Markun, të të japim djalin”.

Përsa i përket datës 17 dhjetor 1981, unë paradite kam qëndruar te dhoma e oficerëve, ndërsa Ali Çeno dhe Llesh Rroku, shoqëruan Mehmet Shehun në mbledhjen e Byrosë Politike. Meqenëse atë darkë mua më binte radha e dezhurnit, për të ndenjur me shërbim aty, mbas dreke vajta te dhoma e oficerëve, në ora 19.00. Rreth orës 20.00, Ali Çeno dhe Llesh Rroku kanë ardhur në dhomën e oficerëve, e na thanë neve që ishim aty, se Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja.

Në fakt, unë nuk e pashë Mehmet Shehun kur u fut brenda në shtëpi, sepse isha brenda në dhomën e oficerëve dhe dritaret ishin me perde e, nga pozicioni që isha, nuk shikoja dot se kush hynte dhe kush dilte nga shtëpia. Unë aty isha me njërin prej radistëve, që nuk më kujtohet se kush ishte dhe me shoferin e radhës, Astrit Hitaj. Kur erdhi Aliu brenda në dhomë, kam parë se ishte shumë i shqetësuar dhe nuk e kishte humorin e tij të zakonshëm.

Mbas kësaj, di që, menjëherë ata që s’ishin me shërbim, janë shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre, ndër ta edhe Ali Çeno, që iku bashkë me Orjon Trebickën, por nëse tha Aliu, që do të kthehem përsëri aty, apo jo, këtë gjë se kam vënë re. Mbas pak Llesh Rrokun e kërkoi Mehmet Shehu, për ta vizituar, dhe mbasi u kthye Lleshi që andej, na tha se i kishte matur tensionin Mehmet Shehut, i cili i kishte kërkuar që të pinte edhe një kafe, “megjithëse unë i thashë, jo”.

Unë e pyeta Lleshin, se çfarë kishte Mehmet Shehu dhe Lleshi më tha se: “Mehmet Shehu ishte vetëm në dhomë dhe po shkruante diçka tek tavolina e punës”. Gjithashtu Mehmet Shehu e kishte pyetur Lleshin, se kush ishte me shërbim atë natë nga oficerët, dhe ai i kishte thënë se; është Dashamir Rabaj.

Mbasi më tha këtë gjë Lleshi, unë kam marrë në telefon në shtëpi, Ali Çenon, dhe i thashë se ç’bisedova me Lleshin, se Mehmet Shehu kishte pyetur se; kush ishte me shërbim atë natë, prandaj ti, po deshe hajde, po deshe rri në shtëpi. Aliu më tha që t’i dërgoja makinën, se do të vinte dhe unë i dërgova makinën, me shofer Astrit Hitaj, që e mori dhe e solli menjëherë tek dhoma e oficerëve.

Mbasi Aliu qëndroi pak te ne, ka dalë që të kontrollonte shërbimet, por sa herë ka dalë dhe ka hyrë te dhoma e oficerëve, dhe sa është vonuar, këtë se përcaktoj dot, se është kohë e gjatë që ka kaluar. Por di që atë natë, Aliu ka folur në telefon me Haki Ketën, në ambasadën tonë në Itali, për disa porosi të familjes, por se çfarë, nuk më kujtohet.

Rreth orës 24.00 e ca, ne kemi rënë për të fjetur, unë në një dhomë me Milto Kostaqin, Lleshi në dhomën e mjekut, Astriti tek dhoma e shoferit, dhe Ali Çenua tek dhoma e shërbimit. Gjatë natës, deri sa u zgjuam të nesërmen në mëngjes, në ora 6 e 45, ne nuk kemi dëgjuar asnjë lloje zhurme.

Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 8.00, kemi dëgjuar se Valdimir Shehu thirri në steriofoni Ali Çenon, që iku me vrap dhe neve na thanë se, Mehmet Shehu ka vrarë veten………….!

Përsa thashë më lart, i lexova thëniet e mija, janë të vërteta dhe i firmos……………………………..! Memorie.al