Në vitin 2021, një sipërmarrës pak i njohur kinez, Liang Wenfeng, filloi të blinte mijëra karta grafike Nvidia për projektin e tij tejet eksperimental të inteligjencës artificiale.
“Kur e takuam për herë të parë, ai ishte një djalë shumë nervoz me një model të tmerrshëm flokësh, i cili foli për ndërtimin e një sistemi kompjuterik me 10 mijë çipa për të trajnuar modelet e tij. Nuk e morëm seriozisht”, thotë një nga partnerët e tij të biznesit.
“Ai nuk mund ta shpjegonte qartë vizionin e tij përveçse të thoshte, ‘Unë dua ta ndërtoj këtë dhe do të jetë revolucionare’. Menduam se ishte diçka që mund të arrihej vetëm nga gjigantë si ByteDance dhe Alibaba”, shton i njëjti person, cituar nga Financial Times.
Katër vjet më vonë Liang është kthyer në një krenari për Kinën, liliputi i cili me forcën e ideve të tij i bëri gjigantët amerikanë të inteligjencës artificiale të dridhen.
Kjo, duke marrë rezultate të ngjashme apo edhe më të mira se ato të OpenAI, Google, Meta apo Anthropic.
Të gjitha këto me shpenzime minimale në krahasim me gjigantët e hiperfinancuar, të ngritura në SHBA.
DeepSeek shkaktoi një tërmet në Silicon Valley dhe një tjetër në Wall Street, ku aksionet e Nvidia-s dhe kompanive të tjera të lidhura me AI regjistruan “një të hënë të zezë” të vërtetë për sektorin.
Disa ditë më parë, Liang ishte i vetmi drejtues i AI i zgjedhur për të marrë pjesë në një takim sipërmarrësish me kryeministrin kinez Li Qiang.
Sipërmarrësve iu tha që të “përqendronin përpjekjet për të bërë hapa përpara në teknologjitë kryesore”.
Studimet dhe kompania e parë
Liang është një i huaj në botën e AI, por ai nuk vjen me një CV të improvizuar.
Sot është 40 vjeç, ka lindur në një qytet të vogël në Guangdong, djali i një mësuesi të shkollës fillore.
Liang ka treguar gjithmonë – sipas informacionit të kufizuar biografik të disponueshëm për të – një kuriozitet të pashuar për teknologjinë.
Pasi u diplomua në inteligjencën artificiale në Universitetin Zhejiang, ai zhvilloi përvojë në vizionin kompjuterik dhe Big Data dhe më pas filloi udhëtimin e tij në botën e financave.
Në vitin 2015, ai themeloi Huanfang Quantitative (High-Flyer), një hedge fund (një fond investimesh offshore – ed.) e cila përqafoi herët AI, duke integruar mësimin e makinerive në strategjitë tregtare.
Tashmë në vitin 2017, AI ishte bërë gurthemeli i vendimeve të saj për investime.
Suksesi, megjithatë, nuk erdhi pa vështirësi: fondi ka përjetuar periudha rëniesh të mprehta, të lidhura me paqëndrueshmërinë e natyrshme të tregjeve financiare.
Liang dhe ekipi i tij i kanë përdorur këto kriza për të përmirësuar vazhdimisht modelet e tyre të AI.
Ekipi i tij, në veçanti, ka fituar ekspertizë të thellë në përdorimin e çipave Nvidia.
Por ambicia e tij e vërtetë ishte më e madhe: të krijonte një AI të aftë për të rivalizuar me më të mirët në botë.